Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Niç: Kosova më afër konfliktit të hapur sesa Bosnja

10/07/2023 - 08:11
në Lajme
A A
Niç: Kosova më afër konfliktit të hapur sesa Bosnja
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Udhëheqësit e NATO-s pritet të konfirmojnë në samitin në Vilnius se situata në Kosovë është serioze dhe se misioni i NATO-s, KFOR, është atje për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të pakicës serbe në veri, thotë Milan Niç, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Niç thotë se telashet do të ishin shumë më të mëdha nëse NATO-ja nuk do të ishte në Kosovë.

“Mendoj se [Kosova] është më afër një konflikti të hapur sesa Bosnja. Dhe është një nivel ndryshe i konfliktit, sepse keni sulme fizike ose konfrontime në veri, keni struktura paralele, keni shpërthime, ku një incident i vogël mund të çojë në diçka më të madhe”, thotë Niç, ekspert për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e NATO-s.

Duke u ndalur te Serbia, ai thotë se presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, mund ta luajë edhe për kohë të gjatë lojën “edhe Perëndimi, edhe Rusia”.

Radio Evropa e Lirë: Dua të nis me Ukrainën. A do të marrë ajo garanci për sigurinë në samitin e NATO-s në Vilnius?

Milan Niç: Varet se çfarë nënkuptoni me garanci të sigurisë. Ukraina mund të shpresojë të ketë diçka më shumë nga samiti i Vilniusit, por jo anëtarësim të plotë. Diplomatët kanë punuar për formulime të sakta, që do të mirëpriten nga të gjitha vendet anëtare, sepse ka opinione të ndryshme për hapat e ardhshëm ndaj Ukrainës. Nga Vilniusi do të dalë një “Bukuresht Plus”, por se çfarë do të jetë saktësisht, është çështje e diskutimeve diplomatike. [v.j. në samitin në Bukuresht në vitin 2008, NATO-ja i ka mirëpritur aspiratat euro-atlantike të Ukrainës dhe ka rënë dakord që ky vend do të bëhet anëtar i NATO-s].

Radio Evropa e Lirë: Po Suedia? A do t’i bashkohet NATO-s?

Milan Niç: Shpresoj shumë për vitin e ardhshëm. Fatkeqësisht, qëllimi që të gjitha vendet anëtare ta ratifikojnë anëtarësimin e Suedisë përpara samitit të Vilniusit, nuk është arritur, sepse Turqia nuk e ka hequr veton e saj dhe Hungaria, po ashtu, e ka shtyrë ratifikimin deri në vjeshtë. Gjërat po lëvizin, ka shumë presion mbi Turqinë, por presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, insiston se jo të gjitha kushtet janë përmbushur.
Pres që nga samiti i Vilniusit të ketë një sinjal të fuqishëm politik, që do të nënvizojë se Suedia është pothuajse në NATO, se të gjithë anëtarët – përveç dy – e kanë ratifikuar anëtarësimin dhe se aleanca mund ta mirëpresë Suedinë si anëtare me të drejta të plota.

Radio Evropa e Lirë: A ka treguar lufta në Ukrainë se NATO-ja është garanci për sigurinë?

Milan Niç: Unë mendoj shumë kështu, sepse Ukraina është sulmuar për faktin se nuk ka qenë në NATO. Rusia, qartazi, shënjestron vendet më të dobëta.

Shikojeni edhe Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme që tri nga gjashtë vendet e këtij rajoni janë në NATO. Dhe, mund të imagjinojmë se çfarë do të ndodhte, për shembull, në Kosovë sikur të mos e kishte atë kornizë të sigurisë që ka, pra KFOR-in [misionin paqeruajtës të NATO-s].

Pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, nuk ka më oreks për paqartësi apo zona gri në Evropë. Ose jeni në rrugë drejt NATO-s, ose në NATO. [Në të kundërtën] jeni të cenueshëm ndaj kërcënimeve hibride ruse.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të ndodhte nëse NATO-ja nuk do të ishte në Kosovë?

Milan Niç: Do ta them me një fjali: Telashet do të ishin shumë më të mëdha.

Radio Evropa e Lirë: E keni përcjellë krizën e fundit në veri të Kosovës…

Milan Niç: Kam ndaluar së numëruari krizat midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk janë të mira për asnjërën prej palëve. Po ua humbin durimin edhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë. Sepse, është një shpërqendrim nga gjëja kryesore që po ndodh në Evropë [lufta në Ukrainë] e që do ta përcaktojë edhe të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës. Pra, është për keqardhje. Por, është edhe çështje e zgjedhjeve politike të të dy liderëve [Kosovës dhe Serbisë] se sa larg do të shkojnë me këto tensione dhe me veprime të njëanshme. Veprimet e njëanshme kanë ardhur më shumë nga Beogradi, por gjatë vitit të fundit edhe nga Prishtina.
Radio Evropa e Lirë: Për shkak të krizës në veri, Kosova është përjashtuar nga një stërvitje e madhe ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-ja dhe aleatë të tjerë të NATO-s. Çfarë mesazhi ka qenë ky për Kosovën?

Milan Niç: Shtetet e Bashkuara, thjesht, kanë dashur të dërgojnë një sinjal se nuk mund të rrezikosh më shumë tensione pa pasoja.

Radio Evropa e Lirë: Sa larg mund të shkojë NATO-ja me Kosovën, meqë misioni i saj është përgjegjës për sigurinë…

Milan Niç: Nëse flasim për samitin në Vilnius, mendoj se do të ketë një rikonfirmim në deklaratë se situata është serioze dhe se NATO-ja është atje për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë këtu edhe pakicën serbe në veri.

Është çështje e Qeverisë së Kosovës se deri në çfarë mase do që të jetë në aleancë me mbështetësit e saj kryesorë në Perëndim dhe t’i bashkërendojë me ta hapat diplomatikë edhe ndaj Serbisë. Sepse, në fund të fundit, ka të bëjë me koordinimin dhe ndërtimin e aleancave. Dhe historia e Qeverisë aktuale të Kosovës në këtë drejtim nuk është shumë e mirë.

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO. Sa reale është kjo?

Milan Niç: Bosnja është shumë më përpara. Në fakt, Bosnja është edhe më përpara se ajo që Ukraina pritet të marrë nga samiti i Vilniusit, edhe më përpara se Gjeorgjia, e cila po ashtu ka kërkuar anëtarësim. Të mos harrojmë që Bosnja ka një plan veprimi për anëtarësim, edhe pse quhet me një emër tjetër. Por, hapat e ardhshëm të saj i ka bllokuar mungesa e unitetit midis Sarajevës dhe Banjallukës. Udhëheqja aktuale e Republikës Sërpska e ka bërë të qartë se nuk do më shumë përparim dhe më shumë integrim në NATO.

Rasti i Kosovës është më i komplikuar, sepse janë katër vende të NATO-s që nuk e njohin ende Kosovën si shtet. Por, gjithashtu, ajo ka bashkëpunim intensiv me NATO-n, por që tani është pauzuar, për shkak të veprimeve të përgjithshme të Qeverisë së Kosovës, në përgjigje të ngjarjeve të shëmtuara në veri.

Radio Evropa e Lirë: NATO e ka identifikuar Bosnjën si zonë të mundshme për aktivitetet ruse. Sa është Kosova e brishtë ndaj tyre?

Milan Niç: Është me një nivel tjetër, krejtësisht të ndryshëm të brishtësisë. Mendoj se është më afër një konflikti të hapur sesa Bosnja. Dhe është një nivel ndryshe i konfliktit, sepse keni sulme fizike ose konfrontime në veri, keni struktura paralele, keni shpërthime, ku një incident i vogël mund të çojë në diçka më të madhe.

KFOR-i mund të jetë aty për ta parandaluar shndërrimin e këtyre incidenteve në diçka më të madhe. Por, dua të theksoj se, pavarësisht krizës së re në Bosnje e Hercegovinë dhe të gjitha tensioneve, atje nuk ka konfrontime fizike.

Radio Evropa e Lirë: Po Serbia? A mund të vijë një moment që, sikurse Finlanda dhe Suedia, ta ndryshojë mendjen për NATO-n?

Milan Niç: Jo, Serbia po luan me kartën e vendit neutral. Ajo e fsheh faktin se ka bashkëpunim mjaft intensiv me NATO-n, në interes të përbashkët. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka zotëruar këtë lojë, duke u sjellë si neutral, por, në të njëjtën kohë, duke forcuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe duke qenë mjaft i cenueshëm ndaj ndikimit rus.
Radio Evropa e Lirë: Edhe për sa kohë mund ta luajë Serbia këtë lojë?

Milan Niç: Mendoj se mund ta luajë shumë gjatë, sepse nuk varet vetëm prej saj, varet edhe prej situatës globale. Nëse lexoni analiza për ndikimin e luftës ruse në rendin global, ajo është një shtytje e madhe për të ashtuquajturat fuqi të mesme, si Turqia dhe Izraeli, pasi mund ta rrisin – në njëfarë mënyre – hapësirën e manovrimit midis Perëndimit dhe Rusisë. Nëse nuk jeni një vend shumë i vogël dhe keni rëndësi strategjike, mund ta luani këtë lojë. Pra, hapësira e manovrave strategjike të Vuçiqit është rritur dhe kjo është ajo që [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti e ka nënvlerësuar.

Serbia, prej fillimit, ka dërguar municione në Ukrainë përmes palëve të treta. Nëse gjëja më e rëndësishme në Evropë tani është ndihma për Ukrainën, edhe vendet si Serbia – në mënyrë paradoksale – mund të kontribuojnë në këtë përpjekje.

JU REKOMANDOJMË

Beha: Gjyqtari që kërkoi të shqyrtohej lirimi i Thaçit nuk u përfshi më në panelet për krerët e UÇK-së

Beha: Gjyqtari që kërkoi të shqyrtohej lirimi i Thaçit nuk u përfshi më në panelet për krerët e UÇK-së
31/08/2026 - 22:45

Gazetari Besian Beha ka ngritur pikëpyetje lidhur me përbërjen e paneleve gjyqësore që kanë vendosur për vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë....

Më shumëDetails

Një ditë para protestës, Rama i drejtohet Qeverisë: Mos i merrni komunave atë që u takon qytetarëve

“Për koncert po, për tjerat jo”, Përparim Rama s’flet për zhvillimet brenda LDK’së
31/08/2026 - 22:34

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar një video në Facebook një ditë para protestës së komunave para Qeverisë së Kosovës. Rama ka kërkuar nga ekzekutivi qendror që...

Më shumëDetails

Olluri për Bekim Sejdiun: Kandidat konsensual i Osmanit dhe Abdixhikut, grupi parlamentar i LDK-së akoma nuk e ka thënë fjalën e vetë

Olluri për Bekim Sejdiun: Kandidat konsensual i Osmanit dhe Abdixhikut, grupi parlamentar i LDK-së akoma nuk e ka thënë fjalën e vetë
31/08/2026 - 22:22

Gazetari Parim Olluri, ka thënë në “Pressing” të T7, se Bekim Sejdiu është kandidat konsensual i Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut. Ai ka thënë se grupi parlamentar i...

Më shumëDetails

Valon Syla: Për Bekim Sejdiun mund të mos votojnë katër deputetë të LDK-së, dy nga pakicat joserbe – por mund ta jep votën një i PDK-së

Valon Syla: Për Bekim Sejdiun mund të mos votojnë katër deputetë të LDK-së, dy nga pakicat joserbe – por mund ta jep votën një i PDK-së
31/08/2026 - 21:56

Gazetari Valon Syla në “Pressing” të T7, ka thënë se Bekim Sejdiu mund të mos votohet nga katër deputetë të LDK-së. Tutje, ai ka thënë se edhe dy...

Më shumëDetails

Ukraina: Do t’i kthehemi temës së njohjes së Kosovës kur të dalim nga flakët e luftës ruse

Ukraina: Do t’i kthehemi temës së njohjes së Kosovës kur të dalim nga flakët e luftës ruse
31/08/2026 - 21:17

Një përgjigje e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar, nxiti pakënaqësi në Kosovë dhe kulmoi me heqjen e...

Më shumëDetails

Bedri Hamza thotë se asnjë deputet i PDK nuk do të votojë për Bekim Sejdiun, dyshon që VV e LDK i kanë numrat

Hamza: Drafti aktual i Asociacionit është oferta më e varfër që e ka pasur Kosova në tavolinë
31/08/2026 - 21:13

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për marrëveshjen e arritur sot në mes VV-së dhe LDK-së që kandidati për president të jetë Bekim Sejdiu,...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ekskluzive: Arrestohet 4 persona në Mitrovicë nën dyshimin për dallavere me testin e patent shoferëve

    Ekskluzive: Arrestohet 4 persona në Mitrovicë nën dyshimin për dallavere me testin e patent shoferëve

    153 Shpërndaje
    Shpërndaje 61 Tweet 38
  • Hoti del me sqarim, tregon pse nuk e voton Bekim Sejdiun për president

    113 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • Policia konfirmon raportimin e Veriu.info: Janë arrestuar 4 persona në Mitrovicë për dallavere me testin për patentë shofer

    103 Shpërndaje
    Shpërndaje 41 Tweet 26
  • Bekë Berisha për kandidatin për President: Duhet me qenë shumë i poshtër meqë janë pajtuar për të

    97 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 24
  • “Kjo është…”, momenti kur Mihrija kupton se do të bëhet gjyshe (video)

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë