
Prishtinë-Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka reaguar lidhur me raportimin ekskluziv të “Betimi për Drejtësi”, se i njëjti së bashku me sëpaku pesë ministra tjerë janë duke u hetuar nga Task-Forcës Antikorrupsion e Policisë së Kosovës.
Ai thotë se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore.
“Mbrëmë është publikuar një lajm që po hetohem për rastin e tiketave ngjitëse.Le të hetojnë çfarë të duan jo vetëm për këtë rast por për çdo gjë që nga dita e parë kur kam filluar punën”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Sipas tij, ka kaluar një vit e katër muaj prej kur kanë filluar me aplikimin e tiketave ngjitëse me zero kosto për qytetarët.
“Si rezultat i saj dhe masave tjera sot automjetet e paregjistruara në Kosovë kanë rënë nën pragun prej 5%. Ky ka qenë kriteri kryesor për kartonin e gjelbërt. Tashmë i kemi plotësuar të gjitha kriteret teknike dhe jemi në rrugë të mbarë që të bëhemi pjesë e kartonit të gjelbërt.Të tjerat janë të parëndësishme për mua sepse nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore dhe rezultatet janë të matshme”, ka thënë tutje Durmishi.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar dje në emisionin me titull “Lufta e Qeverive kundër Task Forcës Antikorrupsion” se Task Forca Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë së Albin Kurtit.
Në mesin e atyre që po hetohet është edhe zëvendës ministri Hysen Durmishi, në lidhje me tenderin e tiketave, për të cilin pas nënshkrimit, ishte zbrapsur.











