Vera tashmë është bërë traditë që të sjellë në Kosovë mijëra bashkëatdhetarë që jetojnë gjithandej botës.
Ekonomia në vendin tonë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht merr hov të madh për shkak të numrit të jashtëzakonshëm të mërgimtarëve që çdo vit kalojnë pushimet në vendlindje.
Por jo rrallë bizneset në vendin tonë ngrisin çmimet në “qiell” pas ardhjes së mërgimtarëve në pushime.
Ata shpeshherë janë ankuar për një fenomen të tillë.
Një ankesë të tillë qytetarët e kanë drejtuar sot edhe në adresë të Gazetës Online Veriu.info.
Ata janë ankuar se operatori telefonik IPKO ka rritur “frikshëm” çmimet e numrave të rinj telefonik.
Sipas një qytetari që ka shkruar në adresë të gazetës çmimi i numrave të rinj në IPKO ka qenë 25 deri në 35 euro.
Sipas tij në të kaluarën një numër telefoni ka kushtuar 6-8 euro, kurse tani çmimet janë ekstremisht të larta.
Gazeta Online Veriu.info i ka shkruar pyetje operatorit telefonik IPKO duke e pyetur rreth kësaj çështje, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.













