Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar i PDK-së, ka njoftuar se në emër të këtij grupi e ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për caktimin e seancës plenare javën e kaluar, që u votua pushteti përkundër kundërshtive të opozitës.
Sipas Tahirit, PDK ka kërkuar të anulohet në tërësi seanca pleanre. Tutje, Tahiri ka pretenduar se Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka bërë dy shkelje kushtetuese.
“Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese.
Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë.” – shkroi Tahiri.













