Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka mohuar se me organizimin e tryezës me mediave dhe të shoqërisë civile partia e tij po e kopjon LDK-në, e cila deri me tani ka mbajtur disa takime të tilla.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Lekaj ka thënë se AAK-ja ka qenë subjekti i parë që ka nisur takimet me sindikatat, gastronomet dhe sipërmarrësit.
“Jo, AAK nuk e ka kopjuar LDK-në dhe asnjë parti tjetër. Madje AAK është e para që ka nisur takimet me sindikatat, gastronomët, sipërmarrësit, etj. Gjithashtu të mos harrojmë që mediat, shoqëria civile, institutet e ndryshme dhe ekspertët e fushave, janë të të gjithëve dhe nuk janë në pronësi të asnjë subjekti politik”, është shprehur Lekaj.
Intervistë / Intervistë | Lekaj: Seanca e 13 korrikut shënon fundin e durimit të opozitës ndaj Qeverisë
Ai ka thënë se në tryezën e fundit është diskutuar mbi gjendje politike në vend.
“Në tryezën e mbajtur u diskutua mbi gjendjen politike në vend, shqetësimin e të gjithëve që Kosova ka humbur elementet e shtetësisë së vendit, nevojën e një bashkëveprimi më dinamik të opozitës për veprimet qeveritare, subjektivitetin e lënduar të shtetit tonë, nevojën e unifikimit të brendshëm pozitë-opozitë për tema me interes të vendit përballë Serbisë, si dhe tema tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit”, ka deklaruar deputeti i AAK-së.













