
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar sot me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në facebook ka thënë se qasja e kësaj Qeverie ndaj bizneseveështë e papranueshme dhe përmes masave të saj po i penalizon bizneset dhe po i ndëshkon në aktivitet e tyre biznesore.
Postimi i plotë:
Sot, në Odën Ekonomike të Kosovës takova kryetarin Lulzim Rafuna, me të cilin diskutuam rreth sfidave me të cilat ballafaqohet sektori privat në Kosovë.
Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik të vendit pa një sektor privat të fuqishëm, prandaj, ky sektor, para se gjithash, duhet të shihet si partner i rëndësishëm i shtetit drejt fuqizimit të vendit.
Kryetarit Rafuna i shpreha qëndrimin se, për PDK-në, është e papranueshme qasja e gabuar e kësaj Qeverie ndaj bizneseve, e cila, përmes masave të saj, po i ndëshkon dhe penalizon ato në aktivitetin e tyre të përditshëm.
Oda Ekonomike e Kosovës është duke bërë një punë të mirë në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të bizneseve, krahas promovimit që po i bën ambientit afarist në Kosovë, përkundër sfidave aktuale.












