Në ditën që e filluan punën, filluan edhe kërcënimet ndaj tyre. 45 policë serbë që u pranuan në konkursin e fundit nga Policia e Kosovës, po përballen me grupe të ndryshme të cilat po i kërcënojnë pse kanë pranuar ta veshin uniformën e Policisë.
Krejt kjo nisi në disa grupe të ndryshme të rrjetit social Telegram. Aty janë aktive disa grupe të serbëve nacionalist, të cilët i kanë publikuar me emra dhe fotografi disa prej serbëve që janë policë të Kosovës, raporton Nacionale.
Madje, ata kishin paralajmëruar se nuk do të ndalen me kaq, dhe do t’i publikojnë të gjithë emrat e këtyre serbëve duke i quajtur “tradhtarë”.
“Lista e serbëve nga veriu i Kosovës që sot kanë filluar punën në të ashtuquajturën Policia e Kosovës”, thotë postimi.
Më tej janë publikuar emrat dhe mbiemrat e serbëve, që ne do t’i publikojmë me iniciale: N.S, T.V, J.M, P.S dhe S.M.
Postimi ka vazhduar me kërcënimin, duke thënë se “kjo nuk është lista përfundimtare, dhe se të tjerat do të publikohen më vonë”.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ditë më parë në një përgjigje për Nacionalen, ka bërë të ditur se deri më tani nuk është raportuar ndonjë rast konkret, përveç raportimeve nga mediat për kërcënimet në rrjete sociale.
“Sa i përket çështjeve tjera nuk ka ndonjë informacion apo rast të raportuar, përjashtuar ndonjë koment të caktuar”, thuhej në përgjigjen e Policisë.
Shumë reagime
Kërcënimi i policëve serbë, ka mobilizuar reagime të mëdha nga liderët institucionalë të Kosovës, por edhe përfaqësues të ambasadave në Kosovë.
Ndër të parët që reagoi në lidhje me këtë situatë, ishte shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano i cili u shpreh i shqetësuar.
“Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës.” – deklaroi ai.
Me këtë, u pajtua edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
“Pajtohem plotësisht. Kjo kampanjë e intimidimit është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalojë menjëherë.” – tha ai.
Ndërkaq, pas shefit të EULEX-it në Kosovë dhe ambasadorit gjerman, reagoi edhe amasadori amerikan Jeff Hovenier për fushatën e kërcënimeve dhe intimidimeve ndaj policëve të rinj të komuniteteve joshumicë që do të ushtrojnë detyrën në veri të vendit.
“I ndaj plotësisht këto shqetësime,” – tha Hovenier duke e shpërndarë postimin e shefit të Eulexit.
“Kërcënimet dhe intimidimet ndaj individëve që punojnë për të mirën e krejt qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme,” – vazhdoi tutje ai.
Së fundi, edhe ambasadori britanik, Nicholas Abbott ndau shqetësimet e tij, duke thënë se kërcënimet ndaj atyre që duan t’i shërbejnë vendit janë të papranueshme.
Në një konferencë para gazetarëve, kryeministri Albin Kurti foli për këtë çështje, i cili po ashtu deklaroi se kërcënime të tilla janë të papranueshme.
“Janë profesionistë të guximshëm, janë pjesëtarë se janë qytetarë që kanë dashurinë për vendin. Ndërkombëtarët duhet të dënojnë zëshëm çfarëdo lincimi ndaj poicëve jo shumicë, dhe trysninë e Begoradit ndaj komunitetit serb.” – tha ai.
Rreth kësaj është deklaruar edhe presidentja Osmani, e cila përmes një shkrimi në Tëitter, bëri thirrje që autorët të cillën para drejtësisë.
“Dënoj kërcënimet ndaj zyrtarëve të Policië së Kosovës nga Serbia dhe grupet e saj kriminale. Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo kampanjë duhet duhet ta ndalet dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë. Ne qëndrojmë me të gjithë zyrtarët tanë policorë, derisa ata shërbejnë trimërisht për një Kosovë më të sigurtë për të gjithë.” – ka shkruar ajo.
Në total punën si policë nga komunitetet e kanë nisur 74 zyrtarë.













