Ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar pas vendimit të MINT-it për mbylljen e Klan Kosova. Në reagimin e përbashkët të tyre thuhet se shprehin shqetësimin e thellë për vendimin e sotëm të MINT ku konfirmohet pezullimi i licencës së biznesit Klan Kosova.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë shprehin shqetësimin e tyre të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës.”, thotë reagimi.
Më tutje, ata shprehen veçanërisht të shqetësuar se ky vendim është joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë.
QUINT-i dhe BE-ja konsiderojnë se një vendim i tillë është domethënës dhe kërkon shqyrtim rigoroz.
“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së çdo medie është një hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e situatës.”, thotë reagimi.
Reagimi i plotë:
Deklaratë e QUINT-it dhe BE-së në Kosovë për vendimin e 28 korrikut të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë lidhur me Licencën e Biznesit të Klan Kosovës, 28 korrik, 2023
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë shprehin shqetësimin e tyre të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës.
Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së çdo medie është një hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e situatës.













