Komuniteti i gazetarëve në Kosovë ka paralajmëruar protestë për të hënën, në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë” është organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Kjo protestë pritet të mbahet në ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik, e hënë, do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në ora 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën”, bëhet e ditu rnë njoftim.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka informuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë dje vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.
MINT ka potencuar se vendimi i komisionit e përmbyll këtë rast brenda ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.
Vendimi i Komisionit, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka konstatuar se ARBK-ja, në shkallën e parë ka vendosur në përputhje me ligjin kur e ka pezulluar certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.













