Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, edhe sot vazhdon të jetë personi më i përfolur në Kosovë. Veprimi i gazetarëve për të bojkotuar konferencës se saj për media është mirëpritur nga shoqëria civile dhe opozitare.
Këta të fundit kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministres Hajdari.
Sipas tyre, një ministre që mbyll media nuk mund të thërras konferenca për media.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka thënë se Hajdari është ministre e skandaleve.
“Po flet, Ministrja e skandaleve, Rozeta Hajdari sot në konferencë për media vet-me-vete. Ajo, që me nënshkrimin e vullnetin e saj mbyllë media, po thërret konferencë për media?! Ajo, që ka blerë vaj me rezervat e shtetit/ paratë tona, mall që kurrë nuk ka arritur në Kosovë; Ajo, që udhëheqë me staf e udhëheqës dikasteresh të emëruar kundërligjshëm nga vet ajo; Ajo, që pasurinë e saj e ka fshehur e s’e ka deklaruar- për këtë është ministre e dënuar”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”, duke ia përmendur edhe skandalet tjera.
“Ajo, që pëfundimisht edhe fëmijë ka shkelur në rrugë dhe nuk është dënuar. Veç një pyetje është relevante sot: pse nuk ke dhënë dorëheqje ende, Rozetë? Ti s’meriton me qenë vendimmarrëse për fatin e vendit tonë e as për paratë tona!”, ka shkruar ajo.












