Në dy vite, opozita dërgoi ligje në Gjykatën Kushtetuese për të marrë vlerësim edhe nga instanca më e lartë e shtetit. Sot, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka bërë me dije se ka rrezuar disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë, të cilin e kishte dërguar për shqyrtim opozita, raporton GazetaBlic.
Kushtetuesja njoftoi se anëtaret e kësaj gjykate kanë vendosur se ligji nuk është në përputhje me disa nene të Kushtetutës.
Sipas njoftimit, ligji mund të dekretohet nga presidentja pas ndryshimit të këtyre neneve.
Krahas këtij ligji, Gjykata Kushtetuese para pak dite konstatoi se shkarkimi i tetë anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës është bërë pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për RTK-në.
Gjykata Kushtetuese tha se për pasojë, në nxjerrjen e këtij vendimi, kuvendi i ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse, dhe për më tepër ka cenuar pavarësinë e RTK-së.
“Për pasojë, në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar, Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse të përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës dhe për më tepër, ka cenuar pavarësinë e transmetuesit publikë, roli i të cilit është thelbësor për lirinë edhe pluralizmin e medieve në një shoqëri demokratike, në kundërshtim me vlerat e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Ndërsa, sot Gjykata Komerciale vendos në favor të televizionit Klan Kosova – kundër MINT.
Gjykata Komerciale e ka aprovuar ankesën e Klan Kosovës, duke e shtyer vendimin e MINT-it rreth pezullimit të certifikatës së biznesit.
Në arsyetimin e Komerciales, thuhet si vijon:
”I. APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve”.













