
Vladimir Putin nuk i ka fshehur kurrë qëllimet e veta për të mësyrë në Ukrainë dhe për të arritur disa objektiva të qarta të interesave ruse në rajonin e Detit të Zi, por tashmë, ai i ka artikuluar qartësisht ato edhe karshi presidentit francez, Emmanuel Macron, në një telefonatë prej 1 ore e 45 minutash.
Sipas një zbardhjeje paraprake të telefonatës nga ana e Elysee-së, Putini ka qenë shumë i prerë mbi pozicionin e tij dhe pozitën, e ka të palëkundur e të panegociueshme.
Katër pika, për të qenë më të saktë, janë prioritetet e Putinit në mësymjen ndaj Ukrainës.
Të katërta, duhet të përmbushen, për të përmbyllur luftën. Madje, ai ka bërë me dije se nuk i intereson nëse i arrin nëpërmjet negociatave apo luftës. Me rëndësi, është qëllimi, një dhe i vetëm – përmbushja e tyre.
Pika e parë ka të bëjë me pretendimin për de-nazifikimin e Ukrainës. Sipas Putinit, pushteti qendror në Kiev, është një pushtet nazist dhe uzurpues në qëllimet e veta.
Pika e dytë ka të bëjë me neutralizimin e Ukrainës. Me këtë, ai nënkupton mosanëtarësimin në strukturat e NATO-s apo Bashkimit Evropian, si edhe heqjen e armëve nga shteti fqinj me Rusinë.
Pika e tretë, është njohja e gadishullit të Krimesë si pjesë e Rusisë. E katërta, lidhet me pavarësinë e rajonit të Donbas-it, ku bëjnë pjesë Donetsk-u dhe Luhansk-u – të dy këto të fundit, rajone të njohura si të pavarura e autonome së fundmi nga Rusia.
Nga ana tjetër, Macron ka këmbëngulur se Rusia duhet të respektojë kalimin e sigurt të civilëve nëpërmjet rrugëve humanitare.
Putini, nga pozita e tij, e ka mohuar se ka sulmuar civilët. Por, në radhët e ukrainasve, rrëfimi është një tjetër.
Gjithashtu, Kievi zyrtar me në krye presidentin Volodymyr Zelensky, ka hedhur poshtë çdo pretendim dorëzimi dhe nuk ka pranuar asnjë kusht për integritetin territorial të Ukrainës.
Kjo, edhe nëse do t’i duhet të vijojë luftën ndaj rusëve.












