Policia e Kosovës ka arrestuar në orët e hershme të mëngjesit 5 persona në Zubin Potok të dyshuar për kontrabandë me mallra nga Serbia, një nga ta shqiptar dhe 4 tjerë serbë kurse një tjetër ka arritur të ikë nga vendi i ngjarjes.
Gazeta Online Veriu.info raportoi ekskluzivisht për ngjarjen, ku nga burimet e saj mësoi se shqiptari i arrestuar ështē Besim Zeqiri “Kaça” i njohur si “bosi” i kontrabandës në veri.
Arrestimin e 5 personave në deklarim për media e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Veri, Veton Elshani.
Sipas Elshanit, në momentin që oficerët policorë kanë tentuar t’i ndalojnë të dyshuarit, grupi i ka sulmuar me armë zjarri dhe më pas Policia është kundërpërgjigjur.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit në rrethinën e Komunës së Zubin Potokut, Policia ka hasur në një furgon dhe disa vetura të cilat besohej se kontrabandonin mallra. Gjatë tentimit për ndalim, ka pasur shkëmbim me armë zjarri, por nuk ka të plagosur. Pesë persona janë arrestuar, katër serbë dhe një shqiptar, dhe një është në kërkim, ndërsa janë konfiskuar një furgon dhe tri vetura. Brenda furgonit janë gjetur cigare të kontrabanduara. Rasti ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit”, ka thënë Elshani.
Por në një komunikatë të mëvonshme, zyrtarisht Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e 5 personave nën dyshimin për kontrabandë me armë dhe sulm ndaj personit zyrtar por askund nuk potencon se policia është sulmuar me armë zjarri nga të dyshuarit siç kishte potencuar orë më parë zëvendësdrejtori i Policisë për Veri, Veton Elshani.
“Në këtë rast janë arrestuar pesë persona të dyshuar për kontrabandë me mallra dhe sulëm ndaj personit zyrtar, ndërsa një person i dyshuar ka arritur të shmanget arrestimit dhe është larguar në drejtim të panjohur.” – thuhet në komunikatën zyrtare të Policisë.
Por komunikata potencon saktësisht se policia ka përdorur armë zjarri për ta vënë gjendjen nën kontrollë dhe për të shmangur rrezikun.
“Për vënë situatën nën kontroll, për të evituar sulmin e mëtejmë dhe për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm ndaj zyrtarëve policorë, janë përdorur pajisjet zyrtare konkretisht armët e zjarrit nga zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast.” – thuhet në komunikatë.
Gazeta Online Veriu.info mësoi pas ngjarjes nga burimet e saj se Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet për ngjarjen ku dyshohet se të dyshuarit nuk kanë përdoru armë zjarri por se armët janë përdorur vetëm nga Policia e Kosovës.
Gazeta ka dërguar pyetje në adresë të Inspektoratit Policor, të cilët kanë konfirmuar se hetuesit e IPK kanë dalë në vendngjarje kur po zhvillojnë hetime në koordinim me prokurorin e shtetit.
“Referuar pyetjeve nga mediumi juaj Gazeten Online Veriu.info, ju informojmë se Inspektorati Policor i Kosovës (tutje IPK) ka pranuar njoftimin nga Policia e Kosovës lidhur me incidenti në fjalë dhe Hetuesit e IPK-së, me të pranuar njoftimin janë në vendngjarje, ku aktualisht jemi në zhvillim e sipër të hetimeve në koordinim me Prokurorin e Shtetit.” – thuhet në përgjigjen e Inspekoratit Policor të Kosovës.
Në këtë operacion, janë sekuestruar katër vetura të cilat kanë qenë të përfshira në rastin konkret ku një njërën prej tyre është hasur një sasi e cigareve të cilat dyshohet se ishin duke u kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga Serbia.













