Minatorët e Trepçës dje kanë bojkotuar punën, për shkak të vonesës së ekzekutimit të pagave nga menaxhmenti i kompanisë.
Por pas këtij bojkoti, duket s Qeveria ka ndërmarrë veprime konkrete në ndihmë kësaj ndërmarrje duke i ndarë mbi 1 milion euro për Trepçën, raporton VeriuInfo.
Kështu ka njoftuar Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, i cili thotë se këto mjete janë ndarë për investime dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes sivjet.
Se kur do t’i marrin tash minatorët pagat e korrikut, nuk ka ndonjë njoftim zyrtar.
Postimi:
Trepça Sh.A. do të përfitojë edhe 1,13 milion euro nga gjithsej 3 milionë euro subvencione që Ministria e Ekonomisë ka nda për investimet dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes sivjet.
Marrëveshjen e lidhëm sot me kryeshefin në detyrë, dr. Enis Abdurahmani, dhe drejtorin pën ndërmarrjet publike, z. Valon Prebreza.
Trepça si shoqëri aksionare po ristrukturohet për me i ngritë të hyrat, me i ulë shpenzimet dhe me u dhënë minatorëve pagë të dinjitetshme. Ndërmarrja pritet shpejt të miratojë një rregullore të pagave, që kompenson punëtorët në përpjesëtim me realizimin e planit të prodhimit dhe të hyrave si dhe i shpërblen me bonus kur e tejkalojnë planin.
Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës po i jep Trepçës 20 milionë euro hua për investime në makineri bashkëkohore dhe qëndrueshmëri në punë, çka do të rritë prodhimin dhe efiçiencën e minierave.












