
Të mbrosh veprimet e Qeverisë Kurti që u qortuan nga partnerët më të mëdhenj të Kosovës është e vështirë. Për ta bërë një gjë të tillë, Nexhmedin Spahiu kësaj here përdori edhe fjalë të turpshme që përçmojnë shoqërinë shqiptare duke e cilësuar si “barbare” e “anarkike” dhe më pak të civilizuar se serbët në veri.
Nexhmedin Spahiu është kthyer në një prej analistëve më të zëshëm në mbështetje të veprimeve të Albin Kurtit në veri të vendit. Por, zgjerimi i kësaj mbështetjeje kësaj here e çoi atë drejt racizmit internal gjatë një paraqitjeje televizive në Top Channel.
Sipas Nexhmedin Spahiut, të gjitha thirrjet e partnerëve perëndimorë dhe të gjitha përpjekjet e Qeverisë për shtensionim të situatës nuk kanë ndonjë domethënie. Situata veçse është e shtensionuar. E qetë. Mbizotëron rendi dhe ligji. E kështu me radhë.
Madje, sipas tij, më shumë rend dhe ligj ka në veri të Kosovës se sa në jug të Kosovës.
“Situata është e qetë… situata është nën kontrollin e… është i vendosur rendi dhe ligji. Madje mund të them se rendi dhe ligji në veri të Kosovës po funksionon më mirë se sa në jug të Kosovës.” – shprehet ai.
Dhe duke folur për arsyet, ai pretendon që serbët në veri janë më të kulturuar e më të civilizuar se sa shqiptarët në jug. Këta të fundit, sipas tij, janë “anarkik e barbarë”.
“Jo vetëm se serbët janë më të civilizuar se sa ne shqiptarët, më të kulturuar. Këtë e them natyrisht me keqardhje. Por duhet ta pranojmë.” – u shpreh ai, për të vazhduar më pas edhe me këto fjalë:
“…problemi me qeverisjen mbi serbët është shumë më i kollajtë se sa mbi shqiptarët të cilët kanë prirje anarkike, edhe prirje barbare që të mos respektojnë ligjet…”
Meqë po e nuhaste një frymë mosbesimi ndaj fjalëve të tij, ai merr në përdorim vagullt ‘ambasadorë të huaj’. Sipas tij, edhe këta ambasadorë të huaj – pra, ambasadorë jovendorë – kishin të njëjtën bindje me të.












