Ditë më parë Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës doli me një vendim i cili përcakton se profesorët e UP-së duhet të përqendrojnë punën e tyre ose në sektorin publik, ose në privat. Një vendim i tillë po konisderohet si i marrë me vonesë.
Një vendim i tillë erdhi nga Këshilli Drejtues i UP-së.
E i njëjti, sa u mirëprit, edhe u kritikua.
Profesori universitar, njëherit edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj vlerëson se vendimi është marrë me vonesë.
“Ka qenë dasht të mirret para se të fillojë procesi i akreditimit të prgrameve të caktuara në kolegje apo në universitete të caktuara. Ka qenë dasht të mirret para se të hapet konkursi për kolegje private apo programe të caktuara për shkak se ne sot ballafaqohemi me një problem, i cili është se në kolegje private ka frikë që në kolegje të caktuara të ngelin pa staf me të cilin janë akreditu”, deklaroi ai.
Dreshaj shton se vendimi mund të ndikoj në cilësinë në arsim.
“Me një veprim të këtillë, kur shumica e studentëve tanë janë në sektorin privat, pra kemi shumë ma tepër në kolegje private se sa në UP, mendoj që ka mundësi me pas influencë të drejtpërdrejtë në nivelin e cilësisë ne kolegje private të cilën ashtu, ashtu dëshirojmë që ta ngrisim më tepër”, shtoi Dreshaj.
Sipas vendimit të UP-së, deri më 20 shtator të këtij viti, profesorët kanë kohë që të përcaktohen se ku do të jetë angazhimi i tyre.













