Kosova është bërë anëtarja më e re në organizatën The Open Government Partnership (OGP), që në gjuhën shqipe do të thotë Partneriteti për Qeverisje të Hapur.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.
I lumtur me këtë lajm është shprehur edhe kryeministri Kurti.
“I emocionuar për të njoftuar se Kosova i është bashkuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur, një nismë ndërkombëtare që përfshin 76 qeveri kombëtare dhe 104 qeveri lokale dhe nxit transparencën, llogaridhënien dhe qasjet novatore për angazhimin publik”, ka shkruar Kurti, në platformën X.
Kujtojmë se Partneriteti për Qeverisje të Hapur (OGP) është një iniciativë shumëpalëshe që synon të sigurojë angazhime konkrete nga qeveritë kombëtare dhe nën-kombëtare për të promovuar qeverisjen e hapur, për të fuqizuar qytetarët, për të luftuar korrupsionin dhe për të shfrytëzuar teknologjitë e reja për të forcuar qeverisjen.
Në frymën e bashkëpunimit me shumë palë, OGP mbikëqyret nga një komitet drejtues që përfshin përfaqësues të qeverive dhe organizatave të shoqërisë civile.













