Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar nga partia asamblistin e saj, Besnik Mujeci, i cili u arrestua në Tiranë nën dyshimin për trafikim droge.
Ajo “sfidoi” pushtetarët duke i pyetur se pse pikërisht Mujeci ishte emëruar aksionar nga partia e tij në ndërmarrjen publike “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë.
Mujeci, dyshohet se ishte pjesë e grupit që transportonin lëndë narkotike nga Prishtina në Tiranë.
“Pse Mujeci i arrestuar sot për bartje të mijëra dozave të narkotikëve me autobus në linjën Prishtinë-Tiranë u emërua nga LVV pikërisht si aksioner në ndërmarrjen që menaxhon udhëtimet e linjave të autobusëve?”, pyeti Sahatçiu në Facebook.
Sipas aj, kjo është pyetja kryesore me interes publik për taksapaguesit e Prishtinës rreth ngjarjes së sotme.
“Për më tepër, kur emërimi i po të njejtit është bërë me seancë të jashtëzakonshme për të destabilizuar punën e Kuvendit të Kryeqytetit, në emër të “kthimit të ndërmarrjeve në të mirën e interesit të qytetarëve”. Qysh na qenka mbrojtur realisht interesi i qytetarëve me zëvendësimin e aksionerit të kaluar me Mujecin si aksioner të ri në ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve”?”, shtoi ajo.
Ajo tha se subjektet politike edhe mund të distancohen nga individë anëtarë për veprime të tyre individuale.
Por, ajo tha se ato nuk mund të distancohen kalimthi pa dhënë përgjegjësi kolektive, kur të njëjtin anëtar “që sot me shfaqje teatrale e gjykon për veprime individuale në komision disiplinor dhe e përjashton nga grupi, ka vendosur dikur t’a emërojë si aksioner përfaqësues të subjektit në ndërmarrjen ku po ky veprim u mundësua”.
“Sot duhet të kemi vetëm një përgjigje: Pse Mujeci i arrestuar sot për bartje të mijëra dozave të narkotikëve me autobus në linjën Prishtinë-Tiranë u emërua nga LVV pikërisht si aksioner në ndërmarrjen që menaxhon linjat e autobusëve”, përfundoi ajo.
Këshilltari komunal i Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, është pjesë e një grupi prej pesë personash të arrestuar nga Policia e Shtetit në Tiranë në kuadër të operacionit antridrogë “Punisher 2”.
Mujeci së bashku me personat e tjerë të arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri” në Tiranë së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.













