Ministria e Ekonomisë përmes një komunikate ka hapur thirrjet për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në sisteme të energjisë së ripërtrishme.
Masat e efiçencës u prezantuan sot nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, raporton gazeta online Veriu.Info.
Në thirrjen për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente përfshihet subvencionimi i makinave rrobalarëse, makinave enëlarëse dhe frigoriferëve ose frigoriferëve me ngrirëse.
Vlera e subvencionimit për një pajisje makinë rrobalarëse është 200.00 €. Për prindërit vetushqyes vlera e subvencionimit për një pajisje është 300.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një pajisje është 400.00 €.
Vlera e subvencionimit për një pajisje makinë enëlarëse është 150.00 €. Për prindërit vetushqyes, vlera e subvencionimit për një pajisje është 250.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një pajisje është 300.00 €.
Për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar Instalimi i sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, në njoftim thuhet se do të subvencionohet vetëm një sistem diellor për ngrohjen e ujit sanitar për një shtëpi dhe sistemi duhet të blihet i ri.
Për të dy thirrjet të drejtë aplikimi kanë të gjithë konsumatorët familjar, konsumi mujor i energjisë elektrike i të cilëve nuk është më i vogël se 250 kWh/muaj në të paktën dhjetë muaj brenda dymbëdhjetë muajve të fundit.













