
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka folur për dëmet e shkaktuara nga masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, tash e dy muaj.Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se masat erdhën si pasojë e dështimit të Qeverisë Kurti me ndërkombëtarët dhe se faji për këto masa bie mbi Kurtin.
“Vendosja e masave për Kosovën erdhi si rrjedhojë e mos përgjegjshmërisë dhe dështimit të Qeverisë Kurti në raport me ndërkombëtarët. Ne si opozitë në vazhdimësi e kemi kritikuar z.Kurti për mos bashkëpunim me ndërkombëtarët, për mungesën e unitetit të brendshëm politik e shoqëror, si dhe injorancën e vazhdueshme ndaj të gjitha palëve të brendshme dhe të jashtme të përfshira në procesin e dialogut Kosovë e Serbi. Si epilog, kjo ka krijuar mos besim dhe masa ndëshkimore ndaj Kosovës e për të cilën fajin e bartë ky pushtet i cili po udhëheqë vendin”, thotë Lekaj.Deputeti vlerëson se nga masat e BE-së janë dëmtuar ekonomia, integrimet evropiane, njohjet e reja, e të tjera.
“Normalisht që ekonomia e Kosovës dhe shumë procese të tjera, siç janë njohjet e reja ndërkombëtare, investimet strategjike, dhe rritja e imazhit tonë ndërkombëtarë janë dëmtuar”, thekson ai për Gazeta Blic.
Lekaj thotë se luten që faktori ndërkombëtar t’i largojë masat, derisa thekson se Qeverinë e kanë këshilluar e lutur që ta ndalë rrugën e gabuar.
“Ne jemi dhe lutemi që faktori ndërkombëtar e veçanërisht SHBA-ja t’i largojë masat ndëshkuese, ndonëse praktikisht jemi skeptikë. Qeverinë e Kosovës e kemi këshilluar kur ka qenë gjithçka në rregull, madje e kemi lutur të ndalë rrugën e gabuar e cila e ktheu Kosovën mbrapa 20 vite në të gjitha proceset e rëndësishme të shtetit”, potencon deputeti.Por, ai thotë se është vonë që opozita t’i japë rekomandime pushtet, që i ka 51 për qind dhe nuk dëshiron as bashkëpunim me opozitën.
“Tani, mendoj që është pak vonë që ne si opozitë t’i rekomandojmë politika të caktuara pushtetit, kur dihet që pushteti ka 51% dhe nuk dëshiron as bashkëpunim dhe as koordinim me kolegët dhe partitë e opozitës”, deklaron deputeti i AAK-së, Pal Lekaj./Gazeta Blic/









