
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në tre vjetorin e Marrëveshjes së Uashingtonit ka thënë se është më e rëndësishmja për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë, raporton Gazeta Blic.
Ai përmes një postimi në facebook ka thënë se kjo marrëveshje, krijon realitete të reja gjeopolitike që sipas tij, ndihmojnë vendimmarrjen e aleatëve në mbështetje të synimeve për integrime euroatlantike.
“Para arritjes së kësaj marrëveshje, është komunikuar intensivisht me partnerët për vendosjen e dialogut në agjendë të qartë, e cila çon në njohje reciproke. Kjo qasje është pranuar gjerësisht nga partnerët. Dhe, si rezultat, në verën e vitit 2020, ka nisur dialogu në Bruksel për njohje reciproke, bazuar në parimin se nuk bisedohet për territore dhe as për organizimin kushtetues të shtetit të Kosovës; nuk ka dialog teknik si në të kaluarën; nuk merremi vesh për asgjë derisa të merremi vesh për gjithçka, duke nisur nga njohja reciproke”, ka shkruar Hoti.
“Marrëveshjen e Uashingtonit duhet parë si hap i madh drejt normalizimit të plotë, me njohje reciproke, mes dy vende, siç ceket në letrat e vazhdueshme të presidentëve amerikanë drejtuar Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ish-kryeministri Hoti.











