
Një gazetar i prestigjiozes amerikane “New York Times” është qëlluar për vdekje në Ukrainë të dielën.
Brent Renaud, regjisor dhe gazetar amerikan i vlerësuar me çmime, u vra derisa po raportonte në periferi të kryeqytetit, Kiev, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.
“New York Times” ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Renaud, teksa ka njoftuar se i njëjti ishte 50-vjeçar dhe kishte punuar për një sërë organizatash të lajmeve si dhe mediave amerikane në të kaluarën, duke përfshirë HBO dhe NBC.
Autoritetet ukrainase thanë se ai u vra në Irpin, një periferi që ka qenë vendi i bombardimeve intensive nga forcat ruse ditët e fundit, por detajet e vdekjes së tij nuk ishin menjëherë të qarta. Zyrtarët ukrainas thanë se një gazetar tjetër u plagos gjithashtu.
Anton Gerashchenko, një këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës, tha në një deklaratë se Renaud kishte kontribuar në The Times në vitet e mëparshme, së fundmi në 2015, por ai nuk ishte në detyrë për kompaninë në Ukrainë.
Raportet e hershme se ai punonte për The Times në Ukrainë qarkulluan sepse ai u gjet me një distinktiv të shtypit të Times që ishte lëshuar për një detyrë vite më parë.











