Administrata Tatimore e Kosovës është duke kërkuar nga bizneset që veprojnë në Mitrovicë të Veriut, të regjistrohen në sistemin e Kosovës.
Shumë biznese atje, ashtu si edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në veri, nuk janë të evidentuara
Kjo do të thotë se ato, prej vitesh, nuk i paguajnë asnjë detyrim shtetit të Kosovës.
Në fakt, popullata serbe në veri, që nga paslufta, nuk u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës, por atyre të Serbisë, që funksionojnë në zonë përmes strukturave paralele.
Edhe kërkesën e fundit të ATK-së, disa udhëheqës serbë të bizneseve me të cilët bisedoi REL-i në Mitrovicë të Veriut, thanë se do ta shpërfillin.
Pronarja e një salloni të bukurisë, e cila foli në kushte anonimiteti, tha se ka dëgjuar se inspektorët tatimorë, të shoqëruar nga policia, i kanë paralajmëruar pronarët e bizneseve se duhet të regjistrohen, por se ajo nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë – së paku tash për tash.
Sipas saj, ky është edhe një tjetër “presion” mbi serbët në veri, që, siç tha, vjen në “kohë të gabuar”.
Ajo nuk specifikoi më shumë, por tha se nëse nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, do të interesohet për procedurat e regjistrimit të biznesit.
Pronarja e një dyqani ushqimor tha se të ardhurat e saj nuk do të ishin të mjaftueshme, nëse do t’i duhej të paguante taksa.
“Derisa shkon kështu, unë do të punoj… Kur të vijë koha [e regjistrimit], do ta llogaris nëse një gjë e tillë është mjaft fitimprurëse. Tani për tani, nuk e kam ndërmend… Dhe mendoj se nuk do të më mbyllet lokali, pavarësisht presioneve nga të gjitha anët”, tha kjo sipërmarrëse serbe.
ATK: Bizneset në veri duhet të regjistrohen
Javën e kaluar, inspektorë të Administratës Tatimore të Kosovës vizituan disa biznese lokale në Mitrovicë të Veriut dhe iu kërkuan atyre që të regjistrohen në sistemin e Kosovës. Aktiviteti i inspektorëve vazhdoi edhe në fillim të kësaj jave, përkatësisht më 4 shtator.
Drejtori rajonal i ATK-së, Besim Halili, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e bizneseve të inspektuara, janë të paregjistruara, por nuk ofroi shifra konkrete.
Ai tha se pronarëve u janë dhënë shtatë ditë kohë për të regjistruar veprimtarinë e tyre.
“Nëse kanë nevojë për afat shtesë, ne mund ta vazhdojmë, për shkak se është problem… Qendra të regjistrimit të bizneseve – mesa kam unë informacione – nuk ka në këto komuna. Ata [përfaqësuesit e bizneseve] duhet të shkojnë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë [për t’u regjistruar]”, tha Halili.












