
Kuvendi Komunal i Mitrovicës më datë 31.05.2023 e ka nxjerrë një rregullore për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës të veprimtarive afariste dhe veprimtarive tjera në komunën e Mitrovicës së jugut, ku në bazë të kësaj rregullore të dielen iu ndalohet shumicës së bizneseve të punojnë në këtë qytet.
Por propozuesi dhe Kuvendi Komunal si miratues i rregullores, duket se nuk kanë qenë të vëmendshëm, pasi që me këtë rregullore mund të shkaktohet një kaos në terren, për shkak të (mos) funksionimit të shumë kompanive ose biznesve me rëndësi vitale për qytetarët.
Në neni 3 përkufizohen termet e kësaj rregulloreje, ku paragrafi 1.10 për termin Shoqëri Tregtare dhe tregon ky është term i përgjithshëm, që do të thotë dhe përfshinë çfarëdo lloji të shoqërisë tregatare të themeluar në Kosovë sipas ligjit, duke përfshirë edhe bizneset individuale, ortakëritë e përgjithshme, ortakëritë e kufizuara, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara dhe shoqëritë aksionare.

Në neni 10 me këtë rregullore rregullohet orari i punës i shoqërive tregtare që furnizojnë me rrymë, ku në paragrafin 2 thotë se këto shoqëri tregtare nuk do të punojnë të dielave.

Ndërkaq, në neni 11 rregullohet orari i punës i shoqërive tregtare që kryejnë furnizim me ujë dhe veprimtari të menaxhimit të trajtimit të mbeturinave, ku në neni paragrafin 2 thuhet se të dielave dhe ditëve të festave nuk do të punojnë shoqëritë tregtare që kryejnë këto veprimtari.
Tre nenet e lartëpërmendura në Mitrovicë afektojnë kompani publike dhe private. Fjala është për KEDS-in (Kompania Kosovare Për Distribuim Dhe Furnizim Me Energji Elektrike – SH.A.) që afektohet nga neni 10, dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica SH.A. e Kompaninë Regjionale të Mbeturinave Uniteti SH.A. që afektohen nga neni 11.
Veriu.info ka hulumtuar se si janë të regjistruara këto kompani publike e private të lartëpermendura në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, ku ka parë se secila prej tyre është e regjistruar si Shoqëri Aksionare.
Shiko në ARBK: 1) KEDS; 2) Ujësjellësi Mitrovica; 3) KRM Uniteti



Pra, neni 3 thotë se me termin Shoqëri Tregtare përfshihen Shoqëritë Aksionale, përderisa me nenet 10 dhe 11 flet iu ndalohet puna Shoqërive Tregtare që kryejnë furnizime me rrymë, furnizime me ujë dhe menaxhojnë e trajtojnë mbeturina.
Nesër është e diela e dytë ku në bazë të kësaj rregulloreje është pushim për këto kompani dhe biznese të tjera, dhe mbetet të shihet se a do të zbatohet në terren kjo rregullore.












