
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, bashkë me emisarin special të dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, janë duke pritur udhëheqësit e Kosovës e të Serbisë për takimin e ri të dialogut.
Borrell e Lajçak takimet i nisën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa sipas agjendës pas takimit me të, ndërmjetësit europianë do të presin në takim kryeministrin Albin Kurti.
Takimi pritet të fillojë nga ora 10:00.
Ndërkaq, nga ora 11:00 pritet të mbahet takimi trepalësh dhe pas tij do të ketë një konferencë për media nga kryediplomati europian Borrell.
Siç ka njoftuar BE-ja, takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale.
Kryeministri Kurti në vazhdimësi ka insistuar në zbatimin e kësaj marrëveshje pa kushte.











