Komuna e Mitrovicës, nën patronazhin e kryetarit Bedri Hamza dhe në bashkëpunim me shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së, ka organizuar aktivitete të shumta në 25-vjetorin e Epopesë së Lavdishme të Mazhiqit, për të nderuar heronjtë dhe dëshmorët e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, së bashku nënkryetarin, Arian Tahiri, drejtorët komunal dhe përfaqësuesit e shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së si dhe familjet e dëshmorëve, u nisën drejt Mazhiqit të Shalës së Bajgores, ku u zhvilluan ceremonitë kujtimore.
Ngjarja filloi me homazhet pranë varrit të dëshmorit Avni Shabani dhe tek varrezat e dëshmorëve në Shipol, për të vazhduar me pas me një vizitë në kullën qëndresë të dëshmorit Rifat Zeneli në fshatin Mazhiq dhe me homazhe pranë varrit të tij.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, u zbulua edhe pllaka përkujtimore në vendin e rënies së dëshmorit Avni Shabani në Mazhiq, një akt që shënon kujtimin dhe nderimin e tyre.
Përfaqësuesit komunal, po ashtu bënë homazhe edhe pranë pllakës përkujtimore të dëshmorit Enver Ferizi dhe martirëve Halim Ferizi e Rizah Tahiri në Stan Tërg, duke vazhduar tutje edhe në manifestimin qendror kushtuar Betejës së Kaçanollit.
Kryetari Bedri Hamza shprehu lavdin e tij për dëshmorët dhe martirët e kombit, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së gjallë të kujtimeve të tyre dhe vlerave për të cilat ata luftuan.
Epopeja e lavdishme e Mazhiqit është pjesë e rëndësishme e historisë së lavdishme të Kosovës dhe një përkujtim i jetës dhe sakrificës së heronjve të kombit tonë.



















