Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njofton se në New York është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për të diskutuar zhvillimet e fundit në dialog.
“Theksova se suksesi i dialogut është i lidhur me zbatimin e balancuar dhe të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si dhe heqjen e masave të BE-së që po prekin qytetarët tanë”, shkroi Osman.
Ndryshe, kryeministri Kurti ditë më parë akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë se është pozicionuar kundër Kosovës. Ai pati thënë se në raundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.













