Një betejë në gjyq mes dy hoxhallarëve nga Peja, Enes Goga e Drilon Gashi, ka marrë epilog final të martën.
Gjykata Themelore në Pejë e ka konsideruar si të tërhequr padinë e ushtruar nga Goga ndaj Gashit për “shpifje”. Goga kërkonte 10 mijë euro dëmshpërblim nga Gashi në kontest civil.
Ish-kryeimami i Bashkësisë Islame në Pejë nuk ka marrë pjesë në seancën e 19 shtatorit, në të cilën pritej të zhvillohet shqyrtimi kryesor i lëndës. Goga, nuk e ka arsyetuar mosprezencën e tij në seancë, thuhet në aktvendimin e gjykatës të cilin e ka siguruar Paparaci.
Për shkak të mungesës së Gogës, gjykata ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore që padia ndaj Gashit të konsiderohej e tërhequr.
“Paditësi thirrjes së gjykatës nuk iu është përgjigjur dhe mos prezencën nuk e ka arsyetuar dhe gjykata konsideron se në kuptim të dispozitave ligjore nga neni 423.1 të LPK-së janë plotësuar kushtet ligjore që padia e paditësit të konsiderohet e tërhequr përveç nëse i padituri deklaron që të zhvillohet shqyrtimi kryesor pa prezencën e paditësit”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit.














