Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se deri më tani dy sulmues janë vrarë në afërsi të Banjskës, ndërsa të paktën një është plagosur. Gjithashtu, sipas tij, një është arrestuar.
Në prononcimin e tij për Nova.rs, ai ka theksuar se nuk ka informacion nëse pjesëtarët e këtij grupi kriminal do të dorëzohen.
Rashiq ka thënë se sipas informatave nga policia, sulmuesit janë të organizuar mirë dhe dyshohet se janë të armatosur me armë të rënda, armë dhe mortaja. Sipas informacioneve të tij, ende nuk dihet kush janë sulmuesit.
“Situata është dramatike. Mëngjesin e sotëm policia iu ka kërkuar të dorëzohen, por nuk ka asnjë komunikim apo kontakt mes dy palëve. Policia thërret me megafon sulmuesit, por nga ana tjetër nuk ka përgjigje. Situata rreth manastirit në fshatin Banjskë është ende dramatike, nuk ka shenja se do të qetësohet së shpejti. Tani për tani është qetësi”, thotë Rashiq për Nova.
Ai thekson se KFOR-i është duke punuar në ndërmjetësim për momentin, për të qetësuar disi situatën.
“Ajo diplomaci duhet t’i bindë ose t’i detyrojë ata të dorëzohen, sepse askush nuk është i interesuar për gjakderdhje të mëtejshme apo përkeqësim të situatës”, thekson Rashiq.
“Një numër sulmuesish janë brenda vetë manastirit, ndërsa disa rreth vetë manastirit. Tani për tani askush nuk e di se kush janë sulmuesit, përveç se bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë dhe të organizuar. Nga një burim nga MPB-ja kam dëgjuar se ata persona kanë pasur armë dhe mortaja. Ky armatim kërkon shumë logjistikë. Kjo është ajo që ne dimë tani për tani. Gjëja më e rëndësishme, siç më thonë Kurti dhe Svećlja, është se ne nuk jemi për përshkallëzimin e mëtejshëm, por për një zgjidhje paqësore të situatës”, thotë Rashiq.












