Tashmë është dëshmuar se rusët kanë qenë tejet të papërgatitur për luftën në Ukrainë, duke e nënvlerësuar fuqinë ushtarake të fqinjit të tyre. 24 ditë pas fillimit të invazionit, është bërë e zakonshme të shihen pamje të tankeve ruse të shkatërruara e të braktisura.
Problemet në logjistikën ruse dolën në pah që në ditët e para të luftës. Shiheshin tanke e automjete të tjera duke ngecur rrugëve të Ukrainës, herë pa naftë e herë edhe krejt të braktisura nga ushtarët rusë.
Me të njëjtën gjë kemi të bëjmë edhe në videon më poshtë. Tanke e sisteme raketore ruse shihen të braktisura në mes të livadheve, pa shenjë ushtarësh aty pranë.
Shpesh këto mjete lufte edhe po kapen nga ukrainasit, të cilët më pas i shfrytëzojnë kundër armikut.
Deri më tani, sipas pretendimeve të Ukrainës, 466 tanke ruse janë shkatërruar në 24 ditët e fundit, 72 sisteme raketore dhe gati 1500 autoblinda.










