Më 10 prill të vitit të kaluar një aksident kishte ndodhur në lagjen Arbëria në Prishtinë ku ishte aksidentuar një fëmijë, në këtë aksident ishte e përfshirë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Aksidentin në fjalë e kishte konfirmuar edhe policia në raportin e saj 24-orësh.
“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME /Rr. Vicianum, Prishtinë (NN) 10.04.2022 – 12:25. E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin e PK-së.
Se fëmija ishte trajtuar në spital asokohe e pati konfirmuar për Express, mjeku kujdestar në QKUK, Naser Syla.
Kur aksidenti u raportua në media, pas një kohe ministrja Hajdari doli me një deklaratë me të cilën shkaktoi reagime publike duke thënë se “një fëmijë u përplas në veturën e saj”.
Deklarata e Hajdarit nuk është mirëpritur në publik.
Sidoqoftë, ajo ka thënë se i ka ofruar ndihmë fëmijës dhe ka njoftuar organet kompetente.
KosovaNews ka publikuar sot një video ku shihet momenti i aksidentit.












