Ish kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar ndaj Listës Serbe, pas deklarimit të kësaj të fundit se është e gatshme të merr pjesë në zgjedhje të reja për kryetar komunash në veri.
Bahtiri ka thënë se Listës Serbe nuk duhet t’i lejohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të komunave veriore, transmeton VeriuInfo.
Postimi i Agim Bahtiri:
Listës Serbe nuk duhet t’i lejohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të komunave veriore, për vet faktin se është dorë e zgjatur e grupit terrorist të udhëhequr direkt nga Milan Radojçiq.
Rrjedhimisht, kërkoj nga KQZ-ja, që mos ta çertifikojë Listen Serbe, kurdo që mbahen zgjedhjet, deri në momentin kur Lista Serbe të deklarojë se janë kundër Radojçiqit dhe grupeve terroriste.
Në të kaluaren, Lista Serbe (rrjedhimisht, udhëheqësit dhe pjesëtarët e saj), kanë bërë spastrim etnik mbi shqiptarët dhe nuk i kanë lejuar këta të fundit të kthehen në pronat e tyre të cilat janë djegur në luften e fundit në Kosovë. Pra, ata duhet ta ndërrojnë këtë mentalitet dhe të jenë të barabartë për të gjithë qytetarët që i udhëheqin e jo të bëjnë diskriminime.
Në këtë pozitë që jemi, është absolutisht e drejtë dhe njerëzore që të mos çertifikohet Lista Serbe sepse është anti-shqiptare dhe si e tillë dëshiron që ta ndaj Kosoven në Urë të Ibrit.
Nuk jemi kundër asnjërit nacionalitet por një kandidat potencial për komunat në veri, duhet ta ekuilibrojë punën e tij, në raport me interesin e përgjithshëm dhe nevojat e të gjithë qytetarëve, dhe të punojë në bazë të dispozitave dhe ligjeve në fuqi që Republikës së Kosovës, shtetas i së cilës është ai vet.
AB











