Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se ai nuk është duke i detyruar serbët në Kosovë të marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa ka shtuar se nuk është pronar i jetës apo i së ardhmes së tyre.
Sipas Kossev, Vuçiq i është përgjigjur pyetjes së gazetares të tv Pink, lidhur me disa mbishkrime në mediat e tjera serbe, ku thuhet se Vuçiq “i ngacmon serbët nga Kosova”, duke kërkuar që ata të marrin pjesë në zgjedhje.
Në lidhje me këtë çështje, Vuçiq më pas ka shtuar se ai edhe në prill “ka qenë pro pjesmarrjes në zgjedhje”, por se serbët e Kosovës nuk e kanë dashur një gjë të tillë.
“Unë dola dhe thashë se mbështes çdo vendim që ata marrin. Dhe unë gjithmonë do të mbështes çdo vendim të tyre, edhe kur nuk është as në interesin e tyre dhe as në interesin tonë të përgjithshëm. Duhet të jesh me ata njerëz kur është e vështirë dhe kur është e lehtë,”- raportohet të ketë thënë Vuçiq.












