Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova thotë se sulmi terrorist i 24 shtatorit nuk guxon të kalojë pa u ndëshkuar.
Rugova në një prononcim për GazetaBlic potencon se, përkundër të gjithë kësaj ngjarjeje normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i domosdoshëm dhe sipas tij, nuk ka asnjë alternativë tjetër.
“Vlerësoj se sulmi terrorist i 24 shtatori ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës nuk duhet dhe as nuk guxon të kalojë pa u ndëshkuar, ata që e bënë këtë akt terrorist dhe mbështetësit e tyre. Përkundër të gjitha ngjarjeve, normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy shteteve do të përmbyllet me dialog, në tryezën e bisedimeve. Alternativë tjetër nuk ka”, tha Rugova.
Sipas Rugovës, kryeministri Kurti nuk duhet të bëjë asnjë veprim pa koordinim me aletatër.
“Kurti në këtë periudhë tejet sensitive për Kosovën, paqen dhe sifurinë rajonale duhet të jetë i kujdesshëm e parimor, kështu duke mos bërë veprime pa koordinim dhe konsultime të gjithanshme, në radhë të parë me SHBA-të, pastaj Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe”, shtoi Rugova.
“Në këtë finale të madhe me Serbinë, që vazhdon mendësinë e viteve të 90-ta duhet të fitojmë me menquri, urti, takt diplomatik dhe të mbështetur fuqishëm nga partnerët tanë strategjik. Secili veprim pa këto komponenta mund të na dëmtojë si shtet dhe të na vonojë në rrugën tonë drejt integrimeve në BE dhe NATO”, përfundoi Rugova.













