Seanca e të mërkurës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, është shtyrë brenda 30 minutave pasi filloi.
Kjo seancë nga fillimi deri në përfundim ka qenë e mbyllur, ndërsa kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III deklaratën e vetme që e dha në fund të seancës, ishte se seanca e radhës është më 30 tetor.
Edhe në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, thuhet se kjo seancë është shtyrë për 30 tetor.
Ndryshe, dëshmitari i 29-të ka qenë i caktuar që të dëshmojë në ditën e sotme.
Ky dëshmitar ishte ftuar që të dëshmojë në seancën e 11 tetorit, ku kishte deklaruar se nuk është i gatshëm që të dëshmonte, por është i gatshëm që të shkonte në burg.
Fillon në sesion të mbyllur seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve
(Përditësuar, ora 10:21)- Seanca e së mërkurës në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar duke qenë e mbyllur.
Kjo ka ndodhur me vendim të trupit gjykues, me arsyetimin për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarit të 29-të me kodin W-04577, i cili pritet që të rifillojë dëshminë e tij në seancën e sotme.
Dëshmitari i 29-të i Prokurorisë është me status të dëshmitarit të mbrojtur.
Sot pritet të rifillojë dëshminë dëshmitari i 29-të në rastin Thaçi dhe të tjerët, s’ishte i gatshëm të dëshmonte më 11 tetor
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, sot pritet që të dëshmojë dëshmitari i 29-të me kodin W-04577.
Kjo është bërë e ditur pas përfundimit të seancës së djeshme nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, dje ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 30-të me kodin W04769.
Në seancën e 11 tetorit 2023, dëshmitari i 29-të para së të niste dëshminë e tij kishte deklaruar se nuk po ndjehej mirë, e ç’rast kishte kërkuar që të konsultohet edhe me një avokat.
Kërkesa e tij ishte aprovuar nga kryetari i trupit gjykues dhe iu ishte caktuar një avokat mbështetës.
Pas konsultimin që ka pasur dëshmitari i 29-të dhe avokati i caktuar për të, ky i fundit kishte deklaruar në seancë se klienti i tij nuk po ndjehej mirë si dhe nuk ishte i gatshëm që të dëshmonte, por ishte i gatshëm që të shkonte në burg.
Pas kësaj, dëshmitari i 29-të kishte kërkuar nga trupi gjykues që t’iu jepet një muaj kohë për ofrimin e dëshmisë së tij në këtë proces. Kërkesa e tij u refuzua pjesërisht, pasi gjyqtari Smith kishte vendosur që ky dëshmitar ta vazhdonte dëshminë e tij më 16 tetor.
Mirëpo, as më 16 dhe 17 tetor nuk u dëgjua dëshmia e dëshmitarit të 29-të, pasi në seancën e kësaj dite po merrej në pyetje dëshmitari i 30-të në këtë proces.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse. Pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.













