Kur Vjosa Gradinaj-Mexhuani u zgjodh kryetare e Organit Shqyrtues të Prokurimit në korrik të vitit të kaluar, asaj i ishte shfaqur nevoja që ta kishte edhe një shofer personal, pasi vetura zyrtare po e priste në parking, shkruan Demokracia.
Ajo nuk e kishte vrarë fort mendjen për ta gjetur ngasësin e veturës dhe ishte ndalur menjëherë brenda familjes së vet. Vetëm një muaj pasi e mori detyrën zyrtare, si shofer ajo e emëroi dajën e saj, vëllain e nënës, Ali Zeqirin.
“Ali Zeqiri me numër të letërnjoftimit xxxxxxxxx, emërohet shofer i kryetares së OSHP-së, duke filluar nga data 1 gusht 2022. Pagesa mujore bruto e shoferit është 362.50 (koeficienti 6). Në pajtim më dispozitat ligjore në fuqi të Republikës së Kosovës, shoferi i kryetares së OSHP-së, do të ketë statusin e nëpunësit të Kabinetit”, thuhet nder të tjera në aktemërim.
E meqë shoferët kanë koeficient të vogël të pagës (6), Demokracia.com ka mësuar se në ditën e njëjtë të emërimit, kryetarja e OSHP-së kishte nxjerr vendim për kompensimin shtesë në vlerë prej 100 eurove për dajën e saj, shoferin Ali Zeqiri. Vendimi për kompensimin e dajës në vlerë prej 100 eurove ishte nënshkruar nga vetë Gradinaj-Mexhuani.
“Për pagesën shtesë në vlerë prej 100 eurove, nëpunësin e kabinetit, Ali Zeqiri – Shofer i kryetares së OSHP-së”, thuhet ndër të tjera në vendimin e datës 01.08.2022 të nënshkruar nga Vjosa Gradinaj- Mexhuani, të cilin e ka parë Demokracia.com.
Zeqirit i ishte përpiluar kontratë njëvjetore dhe ai qëndroi si shofer i kryetares së OSHP-së deri para pak muajve.
Demokracia.com nëpërmjet e-mailit e ka pyetur kryetaren e OSHP-së për lidhjen e saj me Zeqirin, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Gradinaj-Mexhuani e preferuara e kryeministrit Kurti dhe këshilltarit të tij Luan Dalipi
Pas shumë e shumë zvarritjeve, Kuvendi i Kosovës në fund të qershorit 2022 ka zgjedhur kryetarin dhe katër anëtarë në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili ndryshe njihet edhe si Gjykata e Tenderëve. 61 deputetë të mazhorancës patën votuar pro, deri sa partitë opozitare e kishin lëshuar sallën më herët, pas dështimit të Projektligjit për Trustin. Marrë parasysh ecurinë e përzgjedhjes, shihej se kandidatët janë përzgjedhur në kundërshtim me parimet e konkurrencës.
Kryetare e bordit ishte zgjedhur Vjosa Gradinaj-Mexhuani, ndërsa anëtarë Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani.
Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se kanë ushtruar diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve për bord të OSHP-së, pasi komisioni ka qenë i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar.
“Ajo që duhet potencuar është se komisioni ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës së tyre profesionale dhe profesionalizimit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim, komisioni kishte rekomanduar qeverisë që të ushtrojë diskrecionin në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon. Ky është pranuar dhe ne kemi ushtruar kompetencën tonë të garantuar me ligj dhe kemi votuar listën e kandidatëve”, kishte thënë Kurti.
Në mesin e emrave që kishte dërguar Qeveria për votim, dy prej të votuarve kanë pasur pikë më së paku e një më së shumti. Kjo në bazë të poentimit të vlerësimit të CV-ve që kishte bërë një komision i përzgjedhur nga Qeveria për selektimin dhe poentimin e kandidatëve që kishin garuar.
Nga gjithsej 22 kandidatë, e votuara nga Kuvendi, Kimete Gashi, ka pasë pikë më së paku, gjithsej 3.2, ndërsa e parafundit ka qenë kryetarja e re e OSHP-së, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, me 3.6 pikë. Ndërkaq, anëtari tjetër i votuar, Vedat Peterqoi, ka qenë i pari në listë, me gjithsej 8.8 pikë.
Dy emra të votuar nuk kanë qenë pjesë e garës për anëtarë të Bordit dhe kryetarë të OSHP-së. Bëhet fjalë për Nita Bejta dhe Agon Ramadani.
Bejta tashmë ka dhënë dorëheqje, ndërsa Kimete Berisha është shkarkuar nga detyra nga ana e Qeverisë së Kosovës. Rasti është në Gjykatën Kushtetutës të Kosovës.
Çka është Organi Shqyrtues i Prokurimit?
Nëse një kompani pretendon se i është bërë e padrejtë në një tender, ajo mund të ankohet në Organin Shqyrtues të Prokurimit. OSHP-ja është institucioni i fundit që ka përgjegjësi për shqyrtimin e tenderëve.
Ky institucion mund të anulojë një tender dhe mund të japë masa ndëshkuese për ata që kanë shkelur procedruat e tenderimit.
Pra, OSHP-ja në bazë të një ankesë të parashtruar me shkrim nga një Operator Ekonomik kundër njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar nga AK-ja, është autorizuar që ta shqyrtojë kryerjen e aktivitetit përkatës të prokurimit dhe pretendimet ankimore të parashtruara në ankesë, si dhe konform afateve ligjore të nxjerr një vendim me shkrim për mënyrën e vendosjes së asaj lënde, objekt i të cilës është shqyrtimi, ankesa dhe aktiviteti i prokurimit për të cilin është parashtruar ankesa.
Vendimet që merren nga OSHP-ja janë vendimet mbi shqyrtimin e prokurimeve, mbi masat ndëshkuese, mbi ankesat e refuzuara (të pakompletuara), vendimet për Listën e Zezë dhe vendimet për gjobë.












