Një grup terrorist i përbërë nga disa serbë, në krye të të cilëve ishte Milan Radojqiq, kishte sulmuar në mëngjesin e 24 shtatorit Policinë e Kosovës, në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe u plagosën dy të tjerë.
Autoritetet kosovare e fajësojnë Serbinë për ndihmë të këtij grupi terroristësh.
Të njëjtën po e thotë edhe deputeti i VV-së, Agon Batusha.
Ai për Front Online ka thënë që Serbia është e ledhatuar nga ndërkombëtarët.
“Rasti i Bajnskës është sinjal për bashkësinë ndërkombëtare që ledhatimet nuk bëjnë punë. Nuk mund të kthehet Serbia nga gjeopolitikisht nga Perëndimi duke u ledhatuar, ajo është politik e gabuar që në histori ka prodhuar gjëra negative dhe për të cilat Serbia nuk i ka marrë kurrë seriozisht as paralajmërimet e ndërkombëtarëve”, tha ai.
Ai shprehet kritikues ndaj BE-së, pasi që nuk po merr masa kundër Serbisë pas sulmit në Banjskë.
Kështu, sipas tij, Be-ja po e inkurajon Serbinë të bëjë atë që dëshiron.
“Bashkimi Evropian është shumë i komplikuar sa i përket vendimmarrjes vyjnë shumë procedura, shumë mbledhje e kuptojmë, por çdo gjë që e kalon 30 ditëshin është e pakuptimtë, 30 ditë mos me qenë në gjendje me marr një vendim, një qëndrim, është e pakuptimtë, kam frikë që BE i humb pastaj edhe serioziteti në Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Evropian në një farë forme është duke e inkurajuar Serbinë që të bëjë prapë gjëra të tilla dhe pse nuk e dëshirojnë aty”, thotë ai.












