(Përditësuar, ora 10:30)-Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i 5-të i mbrojtjes, Mark Shala (me kodin 4754) në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.
Shala nuk është prezent fizikisht në seancën gjyqësore, mirëpo është i pranishëm përmes video-lidhjes.
Dëshmitari, Mark Shala do të dëshmojë pa masa mbrojtëse në seancën e gjyqit.
Sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Pjetër Shalës
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë sot pritet që të mbahet seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.
Në seancën e 2 tetorit të mbajtur në gjykimin ndaj Pjetër Shalë, dëshminë e tij e ka dhënë dëshmitari i palës mbrojtëse, Bedri Dervishaj, ndërsa me 3 tetor ka dëshmuar Naser Koqinaj, edhe ky në cilësinë e dëshmitarit të palës mbrojtëse.
Ndërsa seanca e paraparë për 4, 5 dhe 6 tetor në këtë rast janë anuluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor dhe e përfundoi më 3 korrik.
Dëshmitari i 10-të me radhë, eksperti William Goodwin ka përfunduar dëshminë e tij më 4 korrik.
Ndërkaq më 21 gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave, kur janë dëgjuar në të njëjtën kohë dëshmitaret 11-të dhe 12-të, konkretisht dy ekspertet mjeko-ligjore Karin Dune-Prinsen dhe Lozano Parra. E më 20 shtator filloi dëshminë dëshmitari Bardhyl Mahmuti, i cili e përfundoi më 21 shtator.
Kurse, më 2 tetor 2023 filloi dhe përfundoi dëshminë dëshmitari Bedri Dervishaj. Më 3 tetor filloi dhe përfundoi dëshminë dëshmitari Naser Koqinaj.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.













