Sot janë bërë një muaj nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, nga i cili mbet i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Lidhur me këtë, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka thënë se më këtë sulm, Serbia rikonfirmoi që ambiciet e saj për territorin tonë as nuk i ka zbehur as nuk i ka harruar.
“Lideri i sulmit të 24 shtatorit, kryekrimineli dhe bashkëpunëtori më i afërt i Presidentit të Serbisë, Milan Radojçiq, edhe pasi pranoi pjesëmarrjen dhe udhëheqjen e sulmit pas publikimit të dëshmive tona, u lirua menjëherë nga autoritetet e Serbisë dhe ka refuzim të dorëzimit të tij tek autoritetet tona të drejtësisë. Për më keq, Serbia shpalli tre ditë zie për tre terroristët që u neutralizuan nga zyrtarët tanë policor gjatë ballafaqimit të armatosur. Këto fakte dhe jo vetëm, dëshmojnë fuqishëm që Serbia sponsorizon me të gjitha kapacitetet e saj terrorizmin në rajon”, ka shkruar Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se pa sanksionimin e Serbisë dhe ndëshkimin e 24 shtatorit e ardhmja nuk është e përcaktuar qartë për paqe dhe demokraci në rajon.
Sveçla është shprehur se heroi Afrim Bunjaku me rënien e tij ka mbrojtur Kosovën dhe qytetarët e saj, kështu duke shpërfaqur edhe kriminalitetin e terrorizmin e sponsorizuar nga Serbia “që e kemi thënë prej kohësh”.













