Ushtria izraelite ka publikuar pamje të bombardimeve të pozicioneve të Hamas në Gaza. Në një deklaratë, zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse Izraelite ka akuzuar Iranin se ka asistuar luftën, duke stërvitur dhe furnizuar Hamasin me armatime dhe teknologji.
“Njoftojmë popullsinë në Qytetin e Gazës dhe rrethina se Hamasi po ju përdor. Militantët po përdorin bodrumet e shtëpive tuaja, shkollave dhe spitaleve për t’u fshehur. Për sigurinë tuaj, mos i lejoni t’ju përdorin. Shkoni në jug”, tha zv.admiral Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.
Trupat izraelite publikuan gjithashtu një video që tregonte ushtarë të dy batalioneve që përgatiteshin për “fazën e ardhshme të luftimeve”.
Automjetet luftarake izraelite janë vendosur edhe pranë kufirit me Libanin, pasi shkëmbimi i zjarrit mes Hezbollahut dhe shtetit hebre vazhdon.
/Euronews Albania/













