“Ata (minatorët) janë në grevë që pesë ditë, të braktisur e të përbuzur nga institucionet shtetërore”, kështu ka deklaruar zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.Më tej ajo ka thënë se “derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po mban ligjërata për lidershipin ndërsa 24 minatorë gjenden në emergjencë, në gjendje të rënduar shëndetësore”.
Sipas zëdhënës së LDK-së, “ky lider (Kurti) në realitet nuk po shfaqet në horizont?!”.
“Kërkesat për mirëqenie e dinjitet gjithmonë dhe gjithkund janë të drejta!”, ka përfunduar Zëdhënësja e LDK-së.
Postimi i plotë:
Kjo foto nuk është nxjerrë nga arkivat e historisë, nga mbyllja e minatorëve të Tepçës kundër pushtimit serb, por e ditës së sotme.
Arsyeja për të hyrë në grevë urie është mospagesa me kohë e pagave, kushtet e rënda të punës; ndërsa, prej vitit 2019 e deri më sot, kontributet pensionale iu janë paguar vetëm për 10 muaj.
Ramadan Pajaziti është vetëm njëri prej këtyre minatorëve, i cili më ka shkruar duke më bërë të ditur se tashmë tre minatorë janë dërguar në spital dhe njëri prej tyre është në gjendje të rënduar.
Dhe me gjithë sakrificën njerëzore, kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar ende nuk i kanë vizituar grevistët, për t’i parë në sy dhe diskutuar me ta.
Është tejet e dhimbshme, e pafalshme dhe e pakuptimtë që të na rikthehen këto pamje, të cilat, partisë në pushtet nuk i bëjnë përshtypje.
As mirëqenia e arsimtarëve, as e policëve dhe as e minatorëve nuk janë në fokus të kësaj Qeverie. Vërtetë Kurti nuk e ka fare vëmendjen në qeverisje duke ngarendur pas propagandës.












