Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë pritet që të vazhdojë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ndonëse në javën e kaluar nuk ka pasur seancë në këtë çështje, seanca e fundit e përcaktuar për 18 tetor ishte shtyrë.
Në këtë seancë pritej të dëshmonte dëshmitari i 29-të me kodin W-04577, mirëpo, sa po u ftua dëshmitari në seancë, trupi gjykues dha urdhër që të kalohet në sesion privat dhe pas 30 minutash ka njoftoi se seanca është shtyrë.
Ky dëshmitar ishte ftuar që të dëshmojë në seancën e 11 tetorit, ku kishte deklaruar se nuk është i gatshëm që të dëshmonte, por është i gatshëm që të shkonte në burg.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.













