Deputetët e Malit të Zi kanë votuar që Andrija Mandiq të bëhet kryetari i ri i Kuvendit.
Ky votim erdhi pas një diskutimi të gjatë sot në seancën konstituive për zgjedhjen e drejtuesve të Parlamentit të Malit të Zi.
Mandiq është drejtues i koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, si dhe njihet si politikan proserb.
Pas kryetarit, sot do të votohet edhe Qeveria e re e Malit të Zi, shkruan Vijesti.
Në votim morën pjesë 49 deputetë , nuk pati asnjë votë kundër.
Në votim nuk morën pjesë deputetë nga Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Boshnjake, Socialdemokratët, Partia Liberale, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve, Nisma Qytetare Kroate dhe Lëvizja Qytetare URA.
Pse Mandiq është njeriu kryesor i Vuçiqit në Mal të Zi?
Andrija Mandiq, kandidati i Frontit Demokratik, doli i treti në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, pas Milo Gjukanoviqit dhe Jakov Milatoviqit, të cilët kaluan në raundin e dytë. Në balotazh Milatoviq arriti të fitoi dhe është zgjedhur presidenti i Malit të Zi.
Edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka përkrahur publikisht asnjë kandidat, një pjesë e publikut nuk ka asnjë dyshim se ai ka qenë prezent në zgjedhjet malazeze – si përmes donacioneve për Mandiqin, ashtu edhe duke skualifikuar kundërshtarin e tij më të madh në mesin e votuesve.
Politikani i preferuar i Vuçiqit në Mal të Zi është padyshim Andrija Mandiq, të cilit dikur i dhuroi një dekoratë si president i Serbisë. Këtë herë ai nuk e mbështeti publikisht në zgjedhjet presidenciale, por gjithçka tregon se ka marrë çdo lloj ndihme tjetër. Dhe veçanërisht në fillim të fushatës.
Milka Tadiq Mijoviq, drejtoreshë e Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Mal të Zi, thotë për gazetën “Nova” se vetë fakti që falë të dhënave për të drejtën e votës, të cilat kanë ardhur nga Serbia për herë të parë në histori, flet për faktin se Serbia ndërhynë që në fillim në procesin zgjedhor.
“Këto të dhëna e eliminuan Milojko Spajiqin (nga gara zgjedhore)”, thotë Tadiq Mijoviq.
Spajiq është lideri i lëvizjes Evropa tani, i cili në kohën e kandidimit për president kishte nënshtetësi serbe dhe rezidencë në Serbi. MPB-ja e Serbisë konfirmoi se ai ka rezidencë pranë Komisionit Zgjedhor të Malit të Zi, dhe kjo automatikisht e skualifikoi atë nga gara zgjedhore.
Nga ana tjetër, Andrija Mandiq ka vite që ka thënë se ka nënshtetësi serbe, por Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë mohoi se ai banon në Beograd, ndërsa vetë Mandiq ka kërkuar që pas zgjedhjeve të diskutohet për shtetësinë e tij.
Sipas ligjeve malazeze, shtetësia e dyfishtë e Serbisë dhe Malit të Zi nuk lejohet.
Tadiq – Mijoviq thekson se nuk është sekret se Vuçiq gjithmonë ka mbështetur Frontin Demokratik dhe Mandiqin në Mal të Zi dhe se është e qartë se kush ishte i preferuari i tij.












