Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka thënë se deklarata e Milorad Dodik ishte një deklaratë e keqe dhe se kjo, sipas tij, është e qartë për të gjithë.
Reagimi i presidentit malazez vjen pasi presidenti i entitetit Republika Srpska (RS), Milorad Dodik, beson se serbët në këtë shekull duhet të formojnë një shtet të vetëm, pjesë e të cilit do të jetë edhe Mali i Zi.
Ndryshe, Dodik kishte theksuar se “jetojmë në një epokë kur pas disa vitesh apo dekadash do të duhet të krijohet një konfigurim i ri i botës, dhe serbët nuk duhet të kapen në befasi”.
“Por tani duhet të themi se në këtë shekull duam një shtet të vetëm të përbërë nga Republika Srpska, Serbia, Kosova – dhe, nëse një vendim i tillë është demokratik, edhe Mali i Zi”, kishte thënë Dodik.
Sipas tij, kjo është diçka që duhet respektuar si interes i fuqishëm kombëtar serb në këto zona, por se siç ka shtuar ai, ky shtet i unifikuar duhet të formohet me mjete demokratike dhe me masa politike, jo me luftë.













