
Pas suspendimeve të djeshme të disa punëtorëve, menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” ka vendosur masa tjera ligjore ndaj atyre që, siç thotë, po e sabotojnë punën në ndërmarrje.
Një vendim i ri i ndërmarrë sot nga menaxhmenti, të cilin e ka siguruar të plotë Gazeta Online Reporteri.net, ua ka ndaluar punëtorëve grevistë të Trepçës pagesat për mëditje të rregullta dhe për shujtë, prej datës 24 tetor.
Kjo, sipas vendimit, vlen për të gjithë punëtorët e Trepçës që e kanë bojkotuar punën, si ata në minierë, në flotacion, në administratë dhe në njësitë e tjera.
Aty po ashtu theksohet se greva ka nisur pa paralajmërim, dhe si e tillë është e paligjshme. Vendimi tutje potencon se, sipas Ligjit për Greva, ajo duhet njoftuar të paktën shtatë ditë më herët. Kësisoj, ligji në fuqi lejon edhe pezullimin e detyrimeve që rrjedhin nga Kontrata e Punës, përfshirë pagën.
Ndryshe, njëra prej kërkesave të minatorëve grevistë është shkarkimi i Kryeshefit, por që Bordi i Drejtorëve deri më tash nuk ka pranuar të ndikohet në kompetencat e veta nga këto kërkesa, shkruan Veriu.info.
Ndër të suspenduarit e djeshëm, është edhe nga puna Kryetari i Sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi.














