
Një kompleks banesor ishte nisur muajin korrik në Skenderaj, për të cilin pati shumë ankesa, përfshirë nisjen e punimeve pa leje, rrëshqitjen e dheut dhe bllokimin e hyrjes për familjen e Fejzullah Smajlit.
Por, gjatë punimeve u shkaktuan rrëshqitje të tokës, dhe si pasojë banorët atje u rrezikuan dhe pësuan dëme të mëdha materiale. Familja e Fejzullah Smajlit ishte dëmtuar më së shumti nga kjo rrëshqitje e tokës. Djali i pronarit të kësaj shtëpie, Tafil Smajli kishte thënë se dëmet janë të pariparueshme dhe rreziku të cilit i kanosen nga shembja e tokës është shumë i madh.
“Që afër dy muaj jemi bllokuar totalisht dhe nuk kemi mundësi hyrje as në garazhë. Është bllokuar totalisht hyrja për në shtëpi dhe nuk kemi asnjë institucion që është angazhuar për të na ofruar ndihmë. Dëmet janë të pariparueshme dhe jashtëzakonisht i madh por më e keqja është se jemi të rrezikuar çdo ditë e me shumë nga shembjet e përditshme që po bëhen. Nuk e di sesi lejohet që të shkaktohet demi çdo ditë e më shumë nga një kompani private e cila dëmin e ka shkaktuar pa pasur leje ndërtimore“, kishte thënë Tafil Smajli për media.
Por katër muaj pas nisjes se punimeve dhe dy muaj pas këtij deklarimi, punishtja e “Andrra Invest Sh.P.K.”, po i bën të ndihen në rrezik kalimtarët e zonës për rreth, pasi që thonë se punishtja nuk është e rrethuar siç duhet.
“Kqyrne qysh është e parrethekume punishtja, fëmijët po na rrezikohen se kësajde po kalojnë edhe munden me ra në gropë”, ka thënë një qytetar për Veriu info, duke dërguar edhe foto të gjendjen në terren.













