Ish deputetja, Shqipe Pantina, tani anëtare e LDK-së, ka komentuar draft statutin e Asociacionit dhe mos publikimin e tij nga ana e Qeverisë.
Ajo thotë se draft duhet të publikohet dhe diskutohet në Kuvend, para se të ketë pajtim përfundimtar.
“Unë e kuptoj se gjatë procesit mund të ketë çështje që nuk mund të bëhen publike, megjithatë para dakordimit përfundimtare draft statuti i Asociacionit duhet të bëhet publike dhe të diskutohet në Parlament”, thotë ajo.
Sipas Pantinës, ai është dashur të diskutohet me opozitën, pasi mund të ndodhë që njëri nga ta mund të jetë kryeministër dhe duhet ta zbatojë atë Asociacion.
“Por me disa grupe njerëzish e me liderët e opozitës në veçanti drafti është dashur të diskutohet qysh në fazën fillestare sepse shumë lehtë mund të ndodhë që njëri nga liderët e opozitës nesër të jetë Kryeministër dhe duhet ta zbatojë atë”, vlerëson Pantina për Gazeta Blic.
Ajo shton se Kurti është bërë peng i qëndrimeve të tij dhe e ka hallin ta arsyetojë shkeljen e parimeve të veta.
“Por, Kryeministri është bërë peng i qëndrimeve të tij dhe po duket e ka hallin se si do ta arsyetojë shkeljen e parimeve të veta sesa çfarë Asociacioni po i lë trashëgim Kosovës e nga çfarë kemi parë deri më tash është shumë më keq se ajo që dikur e kundërshtonte”, deklaron Shqipe Pantina.













