
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, tha se asnjëri nga draftet e publikuara nuk është publikim zyrtar.
Deputeti i PDK-së, në një prononcim për Gazeta Blic, tha se përderisa drafti nuk është publikuar as nga BE dhe as nga Kryeministri i vendit, ai draft nuk është i besueshëm.
“Janë publikuar disa, por asnjëri s’është publikim zyrtar nga BE dhe as nga Kryeministri i Kosovës, prandaj edhe nuk janë të besueshëm”, tha Haliti.
Tutje ai thotë se draft statuti do të bëhet publik në momentin që të tri palët do të jenë të dakorduara.
“Po besoj që Draft statuti do të bëhet publik në momentin që të tri palët të jenë dakorduar, BE, Kosova e Serbia, respektivisht përfaqësuesit e tyre”, shtoi ai.
Ai thotë se Kurti dhe Vuciq tani po përpiqen që të fitojnë kohë më shumë, por nuk dihet se sa hapsirë do t’iu lejoj BE.
“Tani Kurti e Vuçiq po përpiqen të blejnë kohë për të përfituar më shumë, por nuk dihet se sa kohë e hapësirë do ju lejoj BE”, tha Haliti.
Haliti thotë se tani BE po përgatitet për një zgjerim strategjik, dhe në këtë situatë Kosova dhe Serbia do të përpiqen të hipin në vagonin e fundit që na shpie drejt Europës.
“Jemi në kohen kur BE , po përgatitet për zgjerim strategjik që do përfshijë Ukrainen, Moldavinë dhe Ballkanin Përendimorë. Në këtë situatë besoj që Kosova e Serbia do të përpiqen të hipin në vagonin e fundit që na shpie drejtë Europes”, përfundoi Haliti për Gazeta Blic.












