Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Shqiptarët “e fshirë” në jug të Serbisë i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

15/11/2023 - 13:02
në Lajme
A A
Shqiptarët “e fshirë” në jug të Serbisë i drejtohen Gjykatës Kushtetuese
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Safet Demiroviq dhe Teuta Fazliu janë dy nga shumë shqiptarë të Serbisë jugore, të cilëve u janë çaktivizuar adresat ku janë të regjistruar.

Policia, sipas tyre, ua ka fshirë ato me shpjegimin se nuk jetojnë aty.

“Askush nuk më ka lajmëruar, as nuk më ka njoftuar [që adresa ime është çaktivizuar]”, thotë Demiroviq për Radion Evropa e Lirë.

Një përvojë të ngjashme thotë se ka kaluar edhe Teuta Fazliu. Duke folur për Shërbimin e Ballkanit të REL-it, ajo thotë se raste të ngjashme, kur bëhet fjalë për shqiptarët, ka pasur edhe më herët, por se numri është rritur ndjeshëm viteve të fundit.

“Jam gati të shkoj deri në Strasburg [ku gjendet Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut]”, thotë ajo.

Rasti i Demiroviqit dhe Fazliut ka arritur në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë. Në ankesë, ata thonë se janë viktima të diskriminimit dhe se policia i ka fshirë në mënyrë të paligjshme nga adresat e tyre, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

Përveç të drejtave për dokumente dhe sigurim shëndetësor, atyre, në këtë mënyrë, u është mohuar edhe e drejta për të votuar në zgjedhje.

Pretendimet e njëjta janë bërë edhe në një raport të publikuar së voni nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Aty thuhet se përqindja e adresave të çaktivizuara në komunat e jugut, ku serbët janë shumicë, është shumë më e ulët – gjegjësisht nuk kalon një për qind të popullsisë së përgjithshme.

Në anën tjetër, në rastin e komunës së Medvegjës, ku jeton një popullatë e përzier serbe-shqiptare, kjo përqindje është shumë herë më e lartë – 21.2 për qind në periudhën 2015-2019.

“I fshirë pa paralajmërim”

Katër vjet më parë, Safet Demiroviq nga Banja e Sijarinës në komunën e Medvegjës, në jug të Serbisë, ka marrë vesh rastësisht se është fshirë nga adresa e tij. Ai ka shtëpi dhe kompani të regjistruar në atë vend.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në vitin 2019 ka shkuar në stacionin lokal policor “për ta regjistruar veturën në emër të tij”.

Por, policia e ka pritur me njoftimin se adresa e tij është çaktivizuar dhe se nuk mund t’i marrë dokumentet.

Demiroviq thotë se punon përkohësisht në Austri, por se shkon rregullisht në Serbi. Ai thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim për çaktivizimin e adresës së tij.

“Në Banjë të Sijarinës kam shtëpinë dhe kamera përreth objektit… Do ta shihnim po të kishte qenë policia”, thotë ai.

Demiroviq pohon se pas kësaj, në një bisedë jozyrtare private me policinë, i është thënë se nuk mund të regjistrohet më në adresën në Banjë të Sijarinës, për arsye politike, përkatësisht për shkak të “votave në zgjedhje”.

“Kjo, sepse unë quhem Safet, e jo Goran, për shembull”, thotë ai.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me problemin e çaktivizimit të adresave.

Demiroviq thotë se, në fund, është detyruar të regjistrohet në një adresë në Beograd, për të pasur vendbanim në Serbi.

“Ndihem keq që nuk jam i regjistruar në vatrën time. Gjyshi dhe stërgjyshi kanë jetuar atje. Ne jemi vendas. Jam rritur atje. Aty kam kaluar fëmijërinë”, thotë Demiroviq, duke shtuar se kjo është edhe arsyeja përse ka vendosur që t’u drejtohet gjykatave në Serbi.

Ai thotë se nuk është i vetmi që ka përjetuar një gjë të tillë në zonën ku jeton dhe beson se pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare, në këtë mënyrë, janë shënjestra.

“Miqtë e mi të kombësisë serbe punojnë edhe jashtë vendit, por adresat e tyre nuk janë çaktivizuar. Të drejtat tona civile mohohen”, thotë Demiroviq.

“Vendim politik”

Teuta Fazliu thotë se në vitin 2020 ka marrë një telefonatë nga policia në Bujanoc, në jug të Serbisë, për t’u lajmëruar për përcaktimin e adresës së saj.

“Telefonata ka ardhur pasdite dhe unë është dashur të lajmërohem në 10 të mëngjesit. Këtu është shkelur ligji. Nuk mund ta thërrasësh dikë atë ditë dhe atë ditë të lajmërohet”, thotë ajo.

Fazliu shton se pas një jave ka marrë njoftimin se i është çaktivizuar adresa, pasi gjoja nuk jeton në Bujanoc.

“Në Bujanoc kam qenë nga 11 marsi 2020, për shkak të pandemisë. Kam punuar nga shtëpia, kam qenë shtatzënë dhe kam qëndruar gjatë gjithë kohës në shtëpi”, thotë Fazliu, duke shtuar se policia nuk e ka kontrolluar vazhdimisht nëse ka qenë në adresë, ashtu siç pretendon.

Ajo beson se adresa e saj është çaktivizuar, sepse është e punësuar në Kosovë dhe e martuar me një shtetas të Kosovës. Ky është “vendim politik”, sipas saj.

“Kam planifikuar të shkoj deri në fund, sepse Serbia, për shkak të situatës politike, nuk mund t’ua marrë shqiptarëve adresën dhe identitetin”, thotë Fazliu.

Ajo shton se me çaktivizimin e adresës, qytetarët humbin të drejtën e votës në zgjedhje, shitjes së pronës dhe shfrytëzimit të kujdesit shëndetësor.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, më 2022, shumica e popullsisë në Bujanoc është e nacionalitetit shqiptar.

Procedurat para gjykatave në Serbi

Avokati i Demiroviqit dhe Fazliut, Aleksandar Olenik, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas vendimit të policisë për çaktivizimin e adresave të tyre, ai ka parashtruar ankesë në Gjykatën Administrative për të dyja rastet.

“Ajo [gjykata] ka përsëritur atë që ka thënë policia, pa asnjë proces verifikimi”, thotë Olenik.

Ai thotë se instanca e radhës është Gjykata Kushtetuese. Në ankesën që ka bërë, ka thënë se Demiroviq dhe Fazliu janë viktima të diskriminimit.

“Në Vojvodinë dhe në Serbinë qendrore, policia, thjesht, nuk e bën këtë. Për shembull, keni studentë që prej vitesh jetojnë të paregjistruar në qendrat universitare, nuk jetojnë aty ku janë të regjistruar. Nuk i kemi ato raste [të çaktivizimit të adresave] as kur bëhet fjalë për pakicat e tjera kombëtare [në Serbi]”, thotë Olenik.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se sa ankesa ka pranuar deri më tani Gjykata Kushtetuese për diskriminimin e shtetasve të pakicës kombëtare shqiptare, përmes instrumentit të çaktivizimit të adresave, ky institucion ka thënë se nuk disponon të dhëna të tilla.

Nëse Gjykata Kushtetuese e refuzon ankesën, Demiroviq dhe Fazliu mund të ankohen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Çaktivizimi i adresave “i zbatuar në mënyrë të dyshimtë”

Çaktivizimi i adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë ka qenë temë edhe e një raporti të Iniciativës Rinore për të Drejtat e Njeriut, të publikuar në tetor, ku përmendet edhe rasti i Demiroviqit dhe Fazliut.

Nga korriku deri në shtator të këtij viti, hulumtuesit e kësaj organizate kanë hulumtuar rreth çaktivizimit të adresave të shtetasve të Serbisë të nacionalitetit shqiptar në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, të njohura si Lugina e Preshevës.

Sipas të dhënave të tyre, nga viti 2012, në Luginën e Preshevës janë çaktivizuar adresat e më shumë se 2.900 qytetarëve.

Raporti pretendon se çaktivizimi, në përgjithësi, nuk kryhet në përputhje me ligjin.

“Një nga gjetjet është se 72 për qind e të anketuarve, me të cilët kemi pasur mundësi të bisedojmë, nuk kanë marrë vendim për çaktivizimin e adresave. Por, qytetarët përballen me të vetëm kur u duhet të nxjerrin ndonjë dokument të nevojshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë Marko Millosavleviq, njëri nga autorët e raportit.

Ai beson se, në këtë mënyrë, qytetarët futen në një “proces burokratik kafkian”, sepse nuk kanë asnjë dokument për të cilin mund të ankohen.

Sipas Millosavleviqit, disa prej tyre janë detyruar të qëndrojnë gjatë gjithë kohës në shtëpi, në mënyrë që policia t’i gjejë në adresën e tyre dhe, në këtë mënyrë, të vërtetojë se ata jetojnë atje.

“Në këtë mënyrë u kufizohet liria e lëvizjes”, thotë Millosavleviq, duke shtuar se qytetarëve me adresë të çaktivizuar, u hiqen një sërë të drejtash, sepse në rast se u skadojnë dokumentet personale, ata nuk kanë mundësi të aplikojnë për të rejat.

Ai thotë se qytetarët e nacionalitetit shqiptar në Medvegjë, janë prekur më së shumti nga çaktivizimi i adresave, “i zbatuar në mënyrë të dyshimtë”.

“Në bazë të të dhënave të njërit prej burimeve, që mbetet anonim për arsye sigurie, rreth 4.000 qytetarë janë fshirë nga lista e votuesve në periudhën 2015-2019 dhe shumica e këtyre personave janë në zonat me shumicë shqiptare të asaj komune”, thotë Millosavleviq.

Në pyetjen e REL-it për këtë problem, Komuna e Medvegjës tha se nuk është në juridiksionin e saj.

Sipas regjistrimit të vitit 2022, në komunën e Medvegjës jetojnë 6.360 banorë, ndërsa numri i qytetarëve të nacionalitetit shqiptar është 905. Serbët përbëjnë popullsinë shumicë me 4.927 banorë.

Pretendime kontradiktore

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, prej vitesh, kanë paralajmëruar për diskriminim nëpërmjet çaktivizimit të adresave – gjë të cilën përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë e kanë mohuar.

Shaip Kamberi, përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare në Kuvendin e Serbisë, në një letër drejtuar të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në muajin janar, ka shkruar se autoritetet serbe po bëjnë çaktivizim të ashtuquajtur të adresave në vendbanimet e shqiptarëve, me qëllim zvogëlimin e numrit të tyre në Luginën e Preshevës.

Ai, po ashtu, ka theksuar se shqiptarët në Serbi janë viktima të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Në shtator, ministri i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Aleksandar Martinoviq, i ka hedhur poshtë si “absolutisht të pasakta” pohimet e ish-kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, se ndaj shqiptarëve në tri komunat në jug të Serbisë po kryhet “spastrim etnik administrativ”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

“Çaktivizimi i famshëm i vendbanimeve të shtetasve të nacionalitetit shqiptar në jug të Serbisë nuk është kryer dhe, në këtë aspekt, qytetarët e Serbisë me kombësi shqiptare kanë të drejtë të votojnë me kapacitet të plotë, si të gjithë qytetarët e tjerë të Serbisë”, ka thënë atëkohë Martinoviq.

Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministria e të Drejtave të Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Social nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për problemin e çaktivizimit të adresave.

Paralajmërime nga Komisioni Evropian dhe Departamenti i Shtetit

Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave.

Në raport thuhet se pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si kontrollohen në vendbanimet e tyre.

“Autoritetet duhet t’ia shpjegojnë më mirë publikut se si kryhen ato kontrolle”, thuhet në raport.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit nga viti 2022 konsiderohet, po ashtu, si e diskutueshme praktika e çaktivizimit të adresave në Serbi.

“Policia, në mënyrë rutinore, e merr këtë vendim duke bërë vizita spontane në shtëpi. Edhe pse këto vizita shpesh bëhen gjatë orarit të punës, mjafton që personi të mos jetë i pranishëm një herë për të konstatuar mosqëndrimin e tij në adresë”, thuhet në raport.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit thuhet gjithashtu se shumë persona, të cilëve u është çaktivizuar adresa, nuk janë informuar për këtë dhe se ata e kanë kuptuar vetëm kur kanë paraqitur kërkesa për lëshimin e dokumenteve personale./Rel

JU REKOMANDOJMË

Beha: Gjyqtari që kërkoi të shqyrtohej lirimi i Thaçit nuk u përfshi më në panelet për krerët e UÇK-së

Beha: Gjyqtari që kërkoi të shqyrtohej lirimi i Thaçit nuk u përfshi më në panelet për krerët e UÇK-së
31/08/2026 - 22:45

Gazetari Besian Beha ka ngritur pikëpyetje lidhur me përbërjen e paneleve gjyqësore që kanë vendosur për vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë....

Më shumëDetails

Një ditë para protestës, Rama i drejtohet Qeverisë: Mos i merrni komunave atë që u takon qytetarëve

“Për koncert po, për tjerat jo”, Përparim Rama s’flet për zhvillimet brenda LDK’së
31/08/2026 - 22:34

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar një video në Facebook një ditë para protestës së komunave para Qeverisë së Kosovës. Rama ka kërkuar nga ekzekutivi qendror që...

Më shumëDetails

Olluri për Bekim Sejdiun: Kandidat konsensual i Osmanit dhe Abdixhikut, grupi parlamentar i LDK-së akoma nuk e ka thënë fjalën e vetë

Olluri për Bekim Sejdiun: Kandidat konsensual i Osmanit dhe Abdixhikut, grupi parlamentar i LDK-së akoma nuk e ka thënë fjalën e vetë
31/08/2026 - 22:22

Gazetari Parim Olluri, ka thënë në “Pressing” të T7, se Bekim Sejdiu është kandidat konsensual i Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut. Ai ka thënë se grupi parlamentar i...

Më shumëDetails

Valon Syla: Për Bekim Sejdiun mund të mos votojnë katër deputetë të LDK-së, dy nga pakicat joserbe – por mund ta jep votën një i PDK-së

Valon Syla: Për Bekim Sejdiun mund të mos votojnë katër deputetë të LDK-së, dy nga pakicat joserbe – por mund ta jep votën një i PDK-së
31/08/2026 - 21:56

Gazetari Valon Syla në “Pressing” të T7, ka thënë se Bekim Sejdiu mund të mos votohet nga katër deputetë të LDK-së. Tutje, ai ka thënë se edhe dy...

Më shumëDetails

Ukraina: Do t’i kthehemi temës së njohjes së Kosovës kur të dalim nga flakët e luftës ruse

Ukraina: Do t’i kthehemi temës së njohjes së Kosovës kur të dalim nga flakët e luftës ruse
31/08/2026 - 21:17

Një përgjigje e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar, nxiti pakënaqësi në Kosovë dhe kulmoi me heqjen e...

Më shumëDetails

Bedri Hamza thotë se asnjë deputet i PDK nuk do të votojë për Bekim Sejdiun, dyshon që VV e LDK i kanë numrat

Hamza: Drafti aktual i Asociacionit është oferta më e varfër që e ka pasur Kosova në tavolinë
31/08/2026 - 21:13

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për marrëveshjen e arritur sot në mes VV-së dhe LDK-së që kandidati për president të jetë Bekim Sejdiu,...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ekskluzive: Arrestohet 4 persona në Mitrovicë nën dyshimin për dallavere me testin e patent shoferëve

    Ekskluzive: Arrestohet 4 persona në Mitrovicë nën dyshimin për dallavere me testin e patent shoferëve

    154 Shpërndaje
    Shpërndaje 62 Tweet 39
  • Hoti del me sqarim, tregon pse nuk e voton Bekim Sejdiun për president

    113 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • Policia konfirmon raportimin e Veriu.info: Janë arrestuar 4 persona në Mitrovicë për dallavere me testin për patentë shofer

    103 Shpërndaje
    Shpërndaje 41 Tweet 26
  • Bekë Berisha për kandidatin për President: Duhet me qenë shumë i poshtër meqë janë pajtuar për të

    97 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 24
  • “Kjo është…”, momenti kur Mihrija kupton se do të bëhet gjyshe (video)

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë