Krerët e shtetit të Kosovës po flasin për “organizime të reja” në Serbi, nën shqetësimet për mundësinë e sulmeve tjera pas atij të 24 shtatorit në Banjskë. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti patën mundësi që të hënën t’i ndanin këto informacione me shefin e NATO-s, i cili erdhi në Prishtinë. Thanë se informacionet tashmë i kanë ndarë me “aleatët dhe partnerët” që “sulme të tilla të parandalohen”. Jens Stoltenberg tha se s’do të lejojnë konflikt të gjerë në Ballkan dhe se po e shqyrtojnë shtimin e përhershëm të trupave. Themelimin e Asociacionit, ai e konsideroi si “hap kyç drejt normalizimit të raporteve dhe drejt paqes së qëndrueshme në rajon”.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë marrë informacione nga institucionet e sigurisë se në Serbi po përgatitet një tjetër sulm ndaj Kosovës, pas atij të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kurti të dielën alarmoi në Facebook se “në Rashkë të Serbisë po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë” dhe se “Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”.
“Të premten e 10 nëntorit, ai (Radoiçiq) ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë. Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq”, shkroi Kurti.
Ai shtoi se “KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit”.
“Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”, shkroi Kurti, i cili shtoi se kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin dhe sigurinë rajonale “po vërehet gjithnjë e më shumë”.
Kryeministri i Republikës së Kosovës shkroi se “Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit ‘Bota Serbe’, të Vulinit e të Vuçiqit”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është në një turne ballkanik dhe menjëherë pas Bosnjës e vizitoi Kosovën. Me Osmanin e më pas me Kurtin, ai tha se pati “një diskutim të rëndësishëm për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe në rajon”.
Osmani foli për shqetësimet e Kosovës për sulme të tjera, ndërsa tha se institucionet e sigurisë po dëshmojnë për “organizime të reja” tashmë.
“Shqetësimet ekzistojnë që mund të përsëriten sulme të tilla. Të gjitha informatat që vijnë nga institucionet tona të sigurisë dëshmojnë që Serbia nëpërmjet këtyre strukturave ilegale, paramilitare, terroriste, vazhdon të bëjë organizime të reja, pra, është e domosdoshme që bashkëpunimi mes nesh dhe NATO-s të jetë gjithnjë koordinim i plotë, gjithnjë koordinim në rritje… Pra, do të vazhdojmë të punojmë bashkë në mënyrë që të parandalojmë sulme të tilla edhe para se të fillojnë. Por në qoftë se veç tentojnë, kanë dështuar më 24 shtator, do të dështojnë sërish”, tha presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët për media me Stoltenbergun, pas takimit.
Këto, Osmani tha se janë informata që institucionet e sigurisë po i ndajnë me të dhe Kurtin. Për këtë, tha se i kanë njoftuar “të gjithë aleatët dhe partnerët”, për të parandaluar ndonjë sulm tjetër.
“Për fat të keq, Serbia jo vetëm që nuk e ka ekstraduar udhëheqësin e atij sulmi terrorist – nga aspekti praktik, sepse nga aspekti politik udhëheqës i këtij sulmi ka qenë Vuçiqit – në vend se ta ekstradojë Radoiçiqin, po vazhdon që t’ia krijojë të gjithë infrastrukturën e mundshme që ai të planifikojë sulme të reja ndaj Kosovës. Ne i ndajmë informatat që institucionet tona i mbledhin me të gjithë aleatët dhe partnerët dhe natyrisht do të bashkëpunojmë në mënyrë që sulme të tilla të parandalohen në të ardhmen”, tha ajo.
Presidentja tha aty se “NATO mund t’i dërgojë mesazhe të qarta Serbisë në lidhje me veprimet e saj, duke kërkuar edhe tërheqjen e forcave të armatosura të grumbulluara në kufirin me Kosovën si dhe mbylljen e Qendrës Humanitare Ruse, e cila në fakt është qendër e spiunazhit rus”.
Osmani dhe Kurti kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe “për sigurinë e gjithë rajonit”
Vizitën e shefit të NATO-s, dy krerët e shtetit të Kosovës e shfrytëzuan për të kërkuar edhe një herë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe.
Osmani tha se kjo është “garnci për sigurinë e të gjithë rajonit”.
“I nderuar Sekretar i NATO-s, duke marrë për bazë sfidat e sigurisë në periudhën e fundit, fuqizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe NATO-s është parakusht pë paqen dhe stabilitetin rajonal. Anëtarësimi në aleancën më të fortë ushtarake në botë është qëllim strategjik, ekzistencial dhe parësor i Republikës së Kosovës. Prandaj, fillimisht përfshirja në Partneritetin për Paqe, e më pastaj edhe anëtarësimi i plotë në NATO, është garanci për sigurinë e të gjithë rajonit. Stërzgjatja e procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë do të prodhonte pasoja të mëdha për sigurinë në të gjithë kontinentin europian”, tha ajo në konferencën e përbashkët.
Në takim me Stoltenbergun, siç njoftoi Zyra e Kryeministrit, Kurti “nënvizoi edhe një herë rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe, si dhe propozoi hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO”.
“Takimi i tretë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg, kësaj radhë si nikoqir. Kosova në NATO nuk është vetëm slogan, nuk është vetëm aspiratë. Ajo përherë e më shumë po bëhet nevojë e terrenit dhe domosdoshmëri e kohës. Partneriteti për Paqe duhet të jetë hapi i parë, sepse me NATO-n jemi partnerë në qëllime dhe aleatë në orientime”, shkroi kryeministri në Facebook pas takimit.
Kosova synon të bëhet anëtare e NATO-s, dhe në këtë rrugë, fillimisht kërkon të përfshihet në Programin e aleancës perëndimore ushtarake për Paqeneritet për Paqe, që është një projekt i bashkëpunimit praktik ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe të NATO-s, i krijuar më 1994. Qeveria e Kosovës e ka të formuar një grup punues për këtë çështje.
Stoltenberg tha se NATO s’do të lejojë konflikt të gjerë në Ballkan: Po e shqyrtojmë shtimin e përhershëm të trupave
Shefi i NATO-s tha se në Prishtinë pati “një diskutim të rëndësishëm” me Osmanin e Kurtin, pasi në Sarajevë paraprakisht shprehu shqetësimin për retorikën e ndarjes dhe ndikimin rus.
“Sapo patëm një diskutim të rëndësishëm për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Në shtator pamë një ndezje të dhunës në veriun e Kosovës që ngriti shqetësime që një konflikt më i gjerë mund të kthehet në Ballkanin Perëndimor”, tha ai të hënën në një konferencë për media pas takimit me presidenten.
Ai tha se Aleanca po e shqyrton një shtim të përhershëm të trupave në Kosovë.
“Tani po shqyrtojmë nëse duhet të kemi një shtim të përhershme për të siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë një konflikt të ri të dhunshëm në Kosovë apo në rajon më gjerë”, iu tha Stoltenberg gazetarëve.
Stoltenberg tha se “KFOR-i vazhdon ta përmbyshë mandatin e vet të OKB-së në çdo kohë”.
“Do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjithë njerëzit në Kosovë”, tha shefi i NATO-s, duke i kërkuar Kosovës dhe Serbisë që ta zgjedhin “diplomacinë mbi dhunën”.
Ai tha se “çdo vendosje e forcave të Policisë së Kosovës duhet të marrë konfirmimin e NATO-s “.
Themelimi i Asociacionit, Stoltenberg tha se “do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të raporteve dhe drejt paqes së qëndrueshme në rajon”.
Ai sot shkoi në Beograd, ku u takua edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga atje shefi i NATO-s tha se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.
“Unë llogaris në të dyja palët për të ulur tensionet dhe për të përmbajtur nga përshkallëzimi i veprimeve”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për media me Vuçiqin.
Për anëtarësimin e Kosovën në Partneritetin për Paqe, Stoltenberg kujtoi se kërkohet “votë unanime nga të gjitha shtetet anëtare” dhe se “nevojitet vendimi i të gjithë aleatëve të NATO-s”. Tha se “nuk e di se kur mund të merret një vendim i tillë”.













